A e rekomandoi Ambasada e Kosovës një kosovar t’i pranojë dokumentet e Serbisë? Deklarohen nga MPJD-ja
Foto: Laura Hasani

A e rekomandoi Ambasada e Kosovës një kosovar t’i pranojë dokumentet e Serbisë? Deklarohen nga MPJD-ja

Aktuale February 27, 2024 - 10:56

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, para disa ditësh ka akuzuar Ministrinë e Punëve të Jashtme se po vazhdon me skandale.

Kadrijaj, duke akuzuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka thënë se një ambasadë e Kosovës i ka rekomanduar një kosovari të pranojë dokumentet e shtetit serb.

Deputetja Kadrijaj në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se rasti ka ndodhur në Ambasadën e Kosovës në Kroaci, të cilët sipas saj nuk kanë trajtuar rastin e një kosovari, që ka tentuar ta ndërrojë patentën e shoferit, të cilin e kishte marrë në ish-Jugosllavi.

“Para lufte e ka marrë patentë shoferin në Gjakovë dhe ka shkuar në autoritetet në Kroaci për me ripërtërirë, në Kroaci i kanë thënë se vendi ku e ka marrë patentë shoferin po del Serbi. Ai nuk ka pranuar dhe i është drejtuar ambasadës tonë, duke thënë se Gjakova nuk është Serbi. Përgjigja që e ka marrë nga Martin Berishaj ka qenë ‘po pranoje ashtu siç është’. Dhe ambasada nuk ka ngritur atë çështje tek autoritetet kroate. Qytetari ka qenë i shqetësuar me qasjen e ambasadorit”, ka thënë deputetja Kadrijaj.

Lidhur me rastin, nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kanë thënë se nëse brenda Konsullatës së Kosovës në Kroaci ka pasur përgjigje jo të përshtatshme ndaj qytetarit, atëherë do ta trajtojnë rastin me seriozitet.

“Në lidhje me këtë rast, Ambasada i ka dërguar një Note Verbale autoriteteve kroate për të marrë më shumë informata rreth të dhënave që i janë kërkuar personit në fjalë dhe për çfarë deklarimi bëhet fjalë. Nëse brenda Konsullatës së Kosovës në Kroaci, ka pasur përgjigje jo të përshtatshme ndaj qytetarit në fjalë, atëherë ju sigurojmë se një gjë e tillë do të trajtohet me seriozitetin e merituar”, theksohet në përgjigjen e MPJD-së për Telegrafin.

Ndryshe, ambasadori i Kosovës në Kroaci është Martin Berishaj, ku emërimi i tij në këtë pozitë vazhdon të kundërshtohet nga partitë opozitare në Kosovë.