Kurti vizitoi shkollën fillore Nettlefield në Belfast, pa nga afër zbatimin e sistemit të Arsimit të Përbashkët
Gjatë qëndrimit në Belfast të Irlandës Veriore, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjithashtu vizitoi shkollën Nettlefield, për të parë nga afër dhe në praktikë zbatimin e sistemit të “Arsimit të Përbashkët” (Shared Education).
"Përmes këtij sistemi, i cili gjen aplikim në rreth 900 shkolla në Irlandën Veriore, nxënës të komuniteteve të ndryshme kanë mundësi që së bashku të mësojnë dhe ndërveprojnë në aktivitete të ndryshme që përfshijnë sportin, artin dhe shkencën", thuhet në njoftim.
Kurti së bashku me zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Disaporës, Liza Gashi dhe këshilltaren e tij për Çështje të Komuniteteve, Elizabeth Gowing, patën mundësinë që të bisedojnë me nxënësit e shkollës Nettlefield dhe St. Mathew's dhe të dëgjojnë nga mësuesit dhe drejtorët për mënyrat dhe rezultatet që shkollat kanë shënuar në thyerjen e barrierave mes komuniteteve.