A do të përmbyllet dialogu Kosovë - Serbi me një konferencë ndërkombëtare? Flasin analistët
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ditë më parë tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, sipas tij, do të përmbyllet me një konferencë me marrëveshje finale.
Sipas Rashiqit, kjo do të ndodhë për shkak se, siç tha ai, diplomatët do ta humbin durimin me palët në dialog.
Lidhur me këtë çështje profesori universitar i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arben Fetoshi, tha për “Zërin” se ideja e një konference ndërkombëtare nuk është e re dhe ajo reflekton dështimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë - Serbi.
Sipas tij, BE-ja si lehtësuese e dialogut dhe faktorët e tjerë perëndimorë në krye me SHBA-në nuk kanë aplikuar qasje detyruese ndaj palëve, duke u lënë hapësirë të manovrimit, prandaj s’ka rezultate.
“Nëse konferenca do të ishte vetëm ndryshim formati dhe qasjeje, mbase mund të jetë opsioni i duhur për imponimin e zgjidhjes, por ajo ka po ashtu rrezik që të konceptohet si rihapje e çështjes së Kosovës, gjë që do të ishte fatale. Kosova e ka të përmbyllur çështjen e statusit politik, krejt çka duhet dhe për çka është propozuar dialogu, është normalizimi i marrëdhënieve si dy shtete fqinje dhe kjo duhet të çojë në pranimin e realitetit të ri nga Serbia me Kosovën e pavarur”, ka thënë Fetoshi për Zeri.info.
Edhe njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, ka thënë se ideja e konferencës ndërkombëtare është përmendur shpesh.
Mirëpo, sipas Muhaxhirit, një konferencë e tillë nuk mund të mbahet ose realizohet vetëm për shkak të humbjes së durimit të ndërkombëtarëve, por vetëm atëherë kur të ofrohen garancitë maksimale nga Kosova dhe Serbia për pajtueshmëritë maksimale mbi parimet kryesore të saj.
“Nuk ka asnjë logjikë që kjo iniciativë madhore, e cila kërkon shumë resurse politike dhe logjistike, të ndërmerret nëse pozicionet e Kosovës dhe Serbisë janë diametralisht larg njëra-tjetrës”, tha Muhaxhiri për “Zërin”.
Duke e parë që tash e sa vite Kosova dhe Serbia janë në procesin e dialogut dhe akoma nuk ka rezultate finale e konkrete, Muhaxhiri thotë se finalizimi i dialogut ose arritja e marrëveshjes përfundimtare mund të arrihet vetëm përmes një konference ndërkombëtare.
“Për shkak të natyrës jashtëzakonisht komplekse të problematikave historike mes Kosovës dhe Serbisë, mënyra e vetme e finalizimit të zgjidhjes së qëndrueshme është konferenca ndërkombëtare. Njëjtë si në Rambuje dhe në Vjenë, por gjithashtu në Dejton. Edhe në rastin e Kosovës dhe Serbisë gjithsesi do të organizohet një konferencë e legjitimuar prej pjesëmarrësve kryesorë gjeopolitikë. Rezultati do të pranohet ndërkombëtarisht, duke i definuar orientimet strategjike për të ardhmen normalizuese dhe stabile të rajonit tonë”, u shpreh Muhaxhiri.
Sipas Muhaxhirit, konferenca ndërkombëtare do të jetë kurorëzim ceremonial i dialogut shumëvjeçar.
“Prej vitit 2011 janë realizuar shumë zhvillime, angazhime dhe investime, prandaj rezultati duhet të jetë proporcional me punën e deritashme. Kurdo që të mbahet konferenca, shteti i Kosovës do të jetë i obliguar t’i mobilizojë e harmonizojë të gjitha potencialet politike dhe profesionale, në mënyrë që t’i maksimalizojë dobitë. Dhe kështu të hyjë në një etapë të re historike”, theksoi Muhaxhiri.
Gjatë ditës së sotme, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një bashkëbisedim me gazetarët është pyetur rreth mundësisë së një konference ndërkombëtare.
Hovenier është shprehur i hutuar nga pyetja nëse ekziston mundësia e organizimit të një konference ndërkombëtare për marrëveshje me Kosovës dhe Serbisë.
“Ne e kemi një marrëveshje të mirë, të arritur pothuajse një vit më parë”, ka thënë Hovenier, si referencë për pajtueshmërinë e arritur në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë, për zbatim të Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Ai ka rikujtuar që si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Bashkimi Evropian e konsiderojnë marrëveshjen si të obligueshme për të dyja palët, dhe krejt çfarë duhet tani është gatishmëria për të punuar në zbatimin e saj.
“Por, ne jemi të zhgënjyer që nuk është duke ndodhur diçka e tillë”.
Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Kosova dhe Serbia negociojnë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, qysh prej vitit 2011.
Palët kanë nënshkruar një mori marrëvesjesh, por jo të gjitha janë zbatuar. / Zëri