Opozita kritikon Kurtin për mospjesëmarrje fizike në Samitin e Tiranës
Deputetët opozitarë në një intervistë për Ekonominë Online e kanë quajtur gabim të rëndë mospjesëmarrjen e kryeministrit në këtë Samitin rajonal që u mbajt në Tiranë, ndërkaq kërkojnë nga Kurti që të mos i ikë përgjegjësisë.
PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë deklaruar se kryeministri Albin Kurti është dashur të marrë pjesë në këtë Samit, që për dy ditë u mbajt në Tiranë.
Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, konsideron se mungesa e Kurtit në këtë Samit është ikje prej përgjegjësisë. Këmbëngul se Kosova është dashur të përfaqësohet në këtë Samit.
“Samiti në Tiran është një ngjarje e rëndësishme jo vetëm për Ballkanin Perëndimor dhe shtetet pjesëmarrëse mirëpo edhe për Kosovën. Mospjesëmarrja fizike është ikje prej përgjegjësisë, ikje prej ballafaqimit edhe fatkeqësisht prej argumenteve. Nuk duhet të frikohet Kurti të ballafaqohet se e drejta është në anën e Kosovës në të gjitha aspektet dhe këtë e shoh një ikje prej përgjegjësisë për një ballafaqim që duhet të ndodh për shkak se e ka fituar 50 përqindëshin dhe ky kryeministër e përfaqëson Kosovën dhe duhet ta përfaqësoj Kosovën në këtë forum”, u shpreh Tahiri.
Mendim të njëjtë ndan edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj. Zemaj e quan joserioze mospjesëmarrjen fizike të Kurtit, ndërkaq thekson se nuk ka asnjë arsye që Kurti të mungonte në këtë Samit.
“Është jo serioze e para, e dyta nuk mund të mbizotëroje asnjë arsye tjetër për shkak të rëndësisë që ka edhe bashkëpunimi rajonal por edhe interesin që e ka Kosova të jetë pjesë e forumeve të rëndësishme cilat kanë karakter ndërkombëtarë edhe kur flitet sidomos për sigurinë dhe qasjet sigurisë që janë në interes edhe të rajonit por edhe të mbështetjes ndërkombëtare mbi të gjitha miqve të Kosovës ata të cilët kanë kontribuuar shumë për lirinë dhe pavarësinë e saj”, deklaroi Zemaj.
Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, e quan gafën më të madhe të bëra nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti.
“Njëri nga lëshimet e mëdha edhe politike edhe ekonomike dhe në aspektin e përgjithshëm imazh i keq për shtetin e Kosovës ku në Shqipëri, në Tiran në këtë nivel të liderëve evropian, kryeministri nuk merr pjesë. E tha edhe kryetari i PDK-së publikisht një lëshim i tij ku diskutohet për fonde deri në një miliard mos prezenca e ekzekutivit e kryeministrit në këtë rast është njëra nga gafat më të mëdha të kësaj qeverie që po ndodh realisht ditëve të fundit”, tha Shala. /eo