Osmani kujton masakrën ndaj familjeve Bogujevci dhe Duriqi: Autorët të sillen para drejtësisë
Foto: Laura Hasani

Osmani kujton masakrën ndaj familjeve Bogujevci dhe Duriqi: Autorët të sillen para drejtësisë

Aktuale March 28, 2024 - 13:58

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar masakrën e familjeve Bogujevci e Duriqi në 25-vjetorin e vrasjes.

Osmani tha se masakrat ishin strategjia e regjimit gjenocidal të Serbisë kundrejt shqiptarëve.

“Strategjia e regjimit gjenocidal të Serbisë kundrejt shqiptarëve pa dallim moshe ishte shfarosja dhe spastrimi etnik”, shkroi presidentja në Facebook.

“25 vjet më parë, forcat kriminale vranë në mënyrë mizore 14 anëtarë të familjeve Bogujevci e Duriqi, në mesin e të cilëve 7 fëmijë të moshës 2 deri 15 vjeç dhe 7 gra”.

Osmani përmendi edhe dëshmitarët e këtij akti, ku sipas saj këto dëshmi janë në funksion të kujtesës dhe të sjelljes së autorëve para drejtësisë.

“Saranda, Fatosi, Jehona, Liria dhe Genc Bogujevci janë dëshmitarë të aktit makabër, ndaj këto dëshmi janë në funksion të kujtesës dhe të sjelljes së autorëve para drejtësisë”.

“Liria dhe paqja kanë kuptim vetëm kur drejtësia të vihet në vend! Qoftë i përhershëm kujtimi për martirët e familjeve Bogujevci dhe Duriqi!”.