Rusia sërish kërkon debat në Këshillin e Sigurimit mbi ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë

Rusia sërish kërkon debat në Këshillin e Sigurimit mbi ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë

Aktuale March 28, 2024 - 20:01

Rusia është vënë në përpjekje për një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku do të diskutohej rreth fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999, që i dhanë fund luftës në Kosovë.

Pas dështimit të së hënës për një seancë të tillë, mbajtja e së cilës u pamundësua meqë 12 vende anëtare nuk votuan për kërkesën e Moskës, Rusia sërish shtroi kërkesë për debat me temën "ruajtja e paqes dhe qëndrueshmërisë ndërkombëtare".

"Nëse mendonit se diplomacia ruse në OKB thjesht do të dorëzohej, atëherë keni gabuar. Ky nuk është stili ynë. Ne kërkuam edhe një herë një seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për agresionin e NATO-s kundër Jugosllavisë. Pas kundërvënies së fortë të kundërshtarëve tanë, ia dolëm që kryesuesi nga Japonia ta caktojë seancën për të enjten në orën 15:00 në Nju Jork”, shkroi në rrjetin X zëvendës ambasadori rus në OKB, Dmitry Polyansky.

Por, mundësitë që seanca të mbahet duken të pakta. Hapja e debatit kërkon votë procedurale dhe për t’u miratuar rendi i duhet mbështetja e 9 nga 15 vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit.

Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç, u tha medieve serbe në Beograd se “Franca ka paralajmëruar se do të kërkojë votë procedurale”, prandaj “seanca sipas të gjitha gjasave nuk do të mbahet”.

Ai theksoi se Rusia nuk e ka miratuar planin e punës së Këshillit të Sigurimit për muajin prill, kështu që Serbia tani po hyn në mes të përplasjeve të fuqive të mëdha, “gjë që nuk ishte qëllimi ynë”.

Të hënën, përfaqësuesi amerikan në OKB, Robert Wood, akuzoi Rusinë se po përpiqet të shfrytëzojë përvjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, për të shpërndarë propagandën e saj dhe për të nxitur tensionet rajonale në Ballkanin Perëndimor.

Ai ritheksoi qëndrimin amerikan se ndërhyrja ishte një veprim “i domosdoshëm dhe i ligjshëm për t’i dhënë fund spastrimit etnik në Kosovë”.

Nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova shpalli pavarësinë e saj me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore perëndimore, ndërsa Serbia e mbështetur nga Rusia kundërshton shtetësinë e saj. Ndonëse e ka shpallur anëtarësimin në Bashkimin Evropian si aspiratë të saj, Serbia ruan lidhje të ngushta me Moskën dhe nuk u është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër saj për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, në radhë të parë për shkak të mbështetjes së Kremlinit ndaj pretendimeve të Beogradit mbi Kosovën.

Vitin e kaluar Serbia u pajtua më një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën e cila parasheh që Prishtina t’u jap më shumë autonomi serbëve të Kosovës, ndërsa Beogradi të njohë “de facto” pavarësinë e saj.

Por, Beogradi tha se nuk do të zbatojë asgjë që çon në njohjen e Kosovës dhe të mërkurën votoi kundër rekomandimit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.