Lajçaku me post të ri nga shtatori
Foto: Laura Hasani

Lajçaku me post të ri nga shtatori

Aktuale March 29, 2024 - 10:05

Në kuadër të rotacionit të madh në postet diplomatike të Bashkimit Evropian nëpër botë, Mirosllav Lajçak, që aktualisht është i dërguari i posaçëm i bllokut për dialogun Kosovë-Serbi, pritet të bëhet ambasador i BE-së në Zvicër.

Rel-i mëson nga burimet diplomatike se Lajçaku do të nisë mandatin në kryeqytetin zviceran, Bern, më 1 shtator të këtij viti.

Ende nuk dihet se kush do ta zëvendësojë Lajçakun në postin e të dërguarit të posaçëm për dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Të njëjtat burime i thanë se ambasadori aktual i BE-së në Estoni, Aivo Orav, është zgjedhur që të jetë shefi i ri i Zyrës së bllokut evropian në Kosovë.

Ky post po ashtu ka rangun e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së.

Kur të konfirmohet edhe zyrtarisht, Oravi do ta zëvendësojë në këtë post në Prishtinë ambasadorin aktual, Tomas Szunyog.

Shefi i ardhshëm i Zyrës së BE-së në Kosovë ka përvojë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pasi më herët ka shërbyer si shef i delegacionit të bllokut evropian në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi.

Në kuadër të ndryshime, diplomati italian, Luigi Soreca, pritet të bëhet shef i delegacionit të BE-së në Sarajevë të Bosnjë e Hercegovinës. Diplomati italian ka qenë ambasador i bllokut në Shqipëri. /REL