Haradinaj përkujton të rënët në masakrën e Deçanit dhe Klinës

Haradinaj përkujton të rënët në masakrën e Deçanit dhe Klinës

Aktuale March 29, 2024 - 13:34

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar masakrën e Belegut e Irzniqit të Deçanit, si dhe të Poterqit të Klinës, ku u ekzekutuan dhjetëra shqiptarë. Ndër ta edhe 14 bashkëluftëtarë të Haradinajt.

“Dita e sotme na rikthen kujtimin e 29 marsit të kobshëm të vitit 1999. Atë ditë në Beleg e Irzniq të Deçanit dhe Poterq të Klinës, nga sistemi kriminal shtetëror i Serbisë, u ekzekutuan pa mëshirë dhjetëra shqiptarë të paarmatosur, pa i kursyer as të miturit dhe pleqtë”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin e tij social Facebook.

“Po atë ditë, mora lajmin e hidhur për rënien e 14 bashkëluftëtarëve, në një përballje heroike me pushtuesin në Shishman të Bokës. Djem të zotë, luftëtarë të dalluar, një pjesë të të cilëve i njoha në frontet e luftës”.

Ish-kryeministri tha se Kosova në rresht me ushtritë e tjera të NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është dhurata më e mirë që mund të bëhet për të rënët dhe brezin e sotëm.

“Shumë breza sakrifikuan për liri e çlirim, për fitoren e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo liri e fituar me shumë dhembje e humbje do të jetë e plotë atëherë kur atdheu është i sigurt. Kosova në rresht me ushtritë e tjera të NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është dhurata më e mirë për brezin e sotëm dhe ata qe vijnë. Është nderimi më i madh që mund të bëjmë për të rënët. Lavdi e përjetshme atyre që me gjak e shkruan historinë tonë”, përfundoi Haradinaj. /Zëri