Krasniqi: Mbi 40 serbë nga Leposaviqi biseduan me Kurtin për shqetësimet e tyre
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka bërë të ditur se mbi 40 pjesëtarë të komunitetit serb nga Komuna e Leposaviqit morën pjesë në një takim me kryeministrin Albin Kurti këtë të mërkurë për të diskutuar për shqetësimet dhe kërkesat e tyre specifike.
Ministri Krasniqi gjithashtu ka theksuar se mbi tre mijë qytetarë nga Komuna e Leposaviqit kanë aplikuar për subvencione të ndryshme në fushën e bujqësisë, arsimit dhe shëndetësisë, duke e vlerësuar këtë si një shenjë të rëndësishme se Republika e Kosovës po punon për të ofruar shërbime të nevojshme për qytetarët në veri të vendit.
“Mbi tre mijë qytetarë kanë aplikuar për subvencionim të ndryshëm në fushën e bujqësisë, arsimit, shëndetësisë. Këto janë shenja të rëndësishme se Republika jonë atje përmes zyrave të kryetarit po ka mundësi. Në takimin me kryeministrin Kurti edhe neve sot, aty ishin mbi 40 pjesëtarë të komuniteti serbë nga Komuna e Leposaviqit, të cilët biseduan hapur për brengat e tyre për kërkesat e tyre specifike sesi edhe qeverisja lokale dhe ajo qendrore mund t’i qëndroj… Kjo tregon për një pasqyrë tjetër të veriut tonë”, ka deklaruar Krasniqi në RTV Dukagjini.
Ndër të tjera, ai ka thënë se siguria në veri të vendit sot është shumë më ndryshe nga më herët.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar katër komunat veriore me shumicë serbe. Në platformën “X”, ai ka thënë se e ardhmja e vendit është e drejtë dhe përgjegjësi e të gjithëve.