Hasani: Kosova në rastin më të mirë mund t’i dëshmojë vetëm krimet e luftës
Foto: Laura Hasani

Hasani: Kosova në rastin më të mirë mund t’i dëshmojë vetëm krimet e luftës

Aktuale April 13, 2024 - 17:47

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara pritet të miratojë një rezolutë me të cilën 11 korriku do të shpallet Ditë e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. Enver Hasani, Profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës thotë se efekti i kësaj rezolute do të jetë i madh në aspektin politik dhe moral dhe se me të u çohet mesazh “vendeve autoritare në Evropë dhe përtej saj, se kultura dhe civilizimi perëndimor nuk duron më mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kryesve të tij”

Duke folur për histerinë në Serbi dhe Republika Srpska ndaj kësaj nisme të Gjermanisë dhe Ruandës në OKB të mbështetur edhe nga vende tjera të fuqishme perëndimore, Hasani thotë se reagimet e M. Dodik dhe A. Vuciq duhen parë në dritën e mentalitetit aktual serb, ku ata shohin vetveten si viktimë e të tjerët si popuj viktimizues e gjenocidal. Sipas Hasanit ndodhë për faktin se Serbia s’ka kaluar në një proces denacifikimi sikur Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore.

“Serbia nuk pranon t’i nënshtrohet një procesi të tillë dhe konsideron që Perëndimi ka faj për krejt fatkeqësinë e saj, ne veçanti për heqjen nga dora të Kosovës, të cilën ata e shohin dhe përjetojnë me terma metafizik. Këtu qëndron krejt problemi: serbët kanë kryer gjenocid kudo në ish-Jugosllavi dhe këtë e kanë bërë me emrin e Kosovës në gojë, Jerusalemin e tyre fiktiv. Në emër të këtij miti, ata sërish janë në gjendje të kryejnë krime e gjenocid, po u erdh rasti tillë. Prandaj Perëndimi po bën përpjekje që, përmes integrimit të Serbisë në strukturat euro-atlantike, në një afat të gjatë, të arrij denacifikimin e saj dhe modelimin e shoqërisë serbe sipas standardeve perëndimore te qeverisjes së mirë”, thekson ai.

Sipas Hasanit një rezolutë e tillë ka për qëllim edhe që  serbët të vijnë në vete “në raport me rolin e tyre në gjenocidin në Bosnje – Hercegovinë dhe për krimet tjera të kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi” edhe pse një gjë e tillë  “nuk është një akt, por një proces i gjatë dhe si pjesë e integrimeve euro-atlantike të Serbisë”.Duke komentuar rreth planeve për padi të Kosovës ndaj Serbisë, të cilën e ka aktualizuar Kryeministri Kurti që prej ardhjes në pushtet, Hasani insiston se Kosova mund të dëshmoj vetëm kryerjen e krimeve të luftës, jo edhe gjenocidin.

“Siç e kam thënë tri vite më herët, sërish më duhet të përsëris se ngritja e padisë për gjenocid kundër Serbisë do të përbënte favorin më të madh për Serbinë, për shkak se një padi e tillë është e gjykuar të dështoj. Kjo përbën një hap që sipas rregullit nuk do të duhej ta bënte një qeveri dhe një forcë politike sepse me te preket e ardhmja e Kosovës dhe qytetarëve të saj” thotë ai.

“Për krimin e gjenocidit , edhe ato pak prova që kanë ekzistuar janë komprometuar dhe nuk mund të validohen në asnjë procedurë gjyqësore, kurse të provuarit e qëllimit special – apo dolus specialis, siç quhet ky element i figurës së veprës penale të gjenocidit –  përbën një mision të pamundur sepse ka pak gjasa që shtete perëndimore të ofrojnë përgjime ose prova të tjera që ngarkojnë qeverinë dhe shtetin serb për gjenocid”, shton Hasani./express

Intërvistën e plotë mund ta lexoni KËTU: