Çmimi për implante dentare në Klinikën Stomatologjike do të ulet
Foto: Laura Hasani

Çmimi për implante dentare në Klinikën Stomatologjike do të ulet

Aktuale April 14, 2024 - 22:13

Mjetet e sterilizuara i morën për përdorim.

Ekipi i kirurgëve oral në Qendrën Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës, me to kryen implantin dentar tek një pacient.

E ky trajtim stomatologjik rifilloi pas plot 15 vitesh pauzë.

Por ndonëse intervenime në baza ditore kryen edhe në sektorin privat, ndjesia për krye-kirurgun, Bylbyl Reçicën ishte tejet e veçantë.

“Atë ditë ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme për mu, edhe në fakt ka qenë të drejtën si me qenë hera e parë që unë kam qitë impiante. Ka qenë një emocion i përzier të cilin e kam përjetu shumë mirë për faktin se unë po ndihmoj që në Prishtinë këtu është një ndihmesë e madhe për pacientët të marrin edhe këtë shërbim të shumëpritur”, tha Reçica.
Aplikimi i terapisë me implante për pacientët për QKSUK-në shihet mjaft pozitiv.

“Në sektorin publik ka qenë shumë e nevojshme për arsye se kemi raste të ndryshme të cilat në pamundësi të rehabilitimit e tjera protetikore e kanë të domosdoshme edhe rehabilitimin me implantologji”, tha Lavdie Leci, u.d shefe e Klinikës së Kirurgjisë Orale.

E sipas drejtorit të Klinikës Stomatologjike, Kastriot Meqa, kërkesat për të marrë shërbime në Klinikën Stomatologjike janë shtuar.

Megjithatë, çmimi i tyre në këtë institucion është i lartë.

“Ajo pjesa para se të vendoset punimi protetikor shkon në çmimin deri në 400 euro që konsiderojmë se është i lartë për kategorinë e pacientëve që ne trajtojmë. Kemi dhënë propozime që këto çmime të zvogëlohen dhe deri në miratimin e kësaj çmimoreje të re për bashkëpagesa, ne jemi të obliguar të respektojmë rregulloret në fuqi”, tha Kastriot Meqa, drejtor i QKSUK-së
Prandaj së shpejti pritet që ky çmim të zvogëlohet.

“Një pjesë e këtyre procedurave nuk korrespodojnë me çmimin real të tregut dhe prandaj grupi punues ka disa javë dhe është para përfundimit, e gjitha aspekti ligjor që tash e tutje procedura të kushtojnë shumë më lirë dhe kjo është ideja që këto shërbime të merren vetëm në sektorin publik”, tha ministri Arben Vitia.

E nga burimet, Tëvë1 mëson se çmimi i këtij shërbimi pritet të bie nga 400 në 150 euro.

Aplikimi i terapisë me implante për pacientët që kanë indikacion rehabilitimin kirurgjik dhe protetikor të padhëmbësisë ka rifilluar pas 15 vitesh mungesë në sistemin publik shëndetësor.