Deputeti boshnjak: Sot do të votoj pro Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së

Deputeti boshnjak: Sot do të votoj pro Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së

Aktuale April 16, 2024 - 08:40

Anëtari i Parlamentit të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe shefi i delegacionit të Bosnjës në Këshillin e Evropës, Sasa Magazinoviq, ka dhënë sinjale pozitive për votën ndaj Kosovës sot.

Magazinoviqi ka thënë se do të votojë në bindjen se kosovarët meritojnë mundësitë e ofruara nga KiE-ja që shqiptarët dhe serbët dhe të gjithë të tjerët të kenë qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, transmeton Zeri.info.

“Unë do të votoj duke u bazuar në bindjen se të gjithë qytetarët e Kosovës i meritojnë mundësitë e ofruara nga Këshilli i Evropës, që si shqiptarët, edhe serbët dhe të gjithë të tjerët më në fund të kenë qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për të jetuar në një shoqëri më të avancuar demokratikisht sesa është sot dhe për të ndjerë përparim në shtetin e së drejtës”.

“Vetë opinioni thotë se votimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës nuk paragjykon qëndrimet e shteteve anëtare individuale lidhur me statusin e Kosovë”, ka thënë Magazinoviqi.

Ai ka përmendur edhe marrëveshjen për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës, e cila parasheh lëvizje vetëm me letërnjoftim mes dy shteteve, por që nuk po zbatohet nga ana e Bosnjës.

“Dëshiroj që Bosnjë dhe Hercegovina ta konfirmojë sa më shpejt marrëveshjen nga procesi i Berlinit, e cila parasheh lëvizje vetëm me letërnjoftime në rajonin tonë dhe në këtë mënyrë t'i afrojë qytetarët e Kosovës dhe vendit tonë, si shtetet tjera. duke përfshirë edhe Serbinë, kanë bërë tashmë”, shkroi Magazinoviqi në Twitter. /Zëri