Haxhiu mbledh institucionet e drejtësisë dhe sigurisë, pas vrasjes së një gruaje në Pejë
Foto: Laura Hasani

Haxhiu mbledh institucionet e drejtësisë dhe sigurisë, pas vrasjes së një gruaje në Pejë

Aktuale April 16, 2024 - 11:05

Institucionet e drejtësisë dhe sigurisë janë mbledhur sot, pas vrasjes së një gruaje në Pejë.

Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, e cila ka reaguar për rastin tragjik.

“Në mëngjesin e sotëm edhe një grua u vra nga burri në Pejë, vetëm 4 ditë nga vrasja e një gruaje po ashtu nga burri, në Ferizaj. Kjo është shumë e rëndë. Është tronditëse. Është dhimbje e madhe. Është e patolerueshme”.

“Për këtë gjë sot kam ftuar në takim ministrin e Punëve të Brendshme, kryesuesit e këshillave, UD e kryeprokurorit dhe drejtorin e Policisë së Kosovës dhe po ashtu në një takim tjetër edhe mbledhjen e Grupit Ndërministror”, shkroi Haxhiu në Facebook.

Ajo ka thënë se nuk ka rrugë tjetër, pos si institucione të Republikës së Kosovës, t’i luftojnë pa kompromis këto fenomene.

“Pavarësisht përkushtimit, masave të ndërmarra, fushatave të iniciuara, me qëllim pikërisht barazinë gjinore, vrasjet ndaj grave po vazhdojnë. Shpeshherë dhunuesit janë bërë vrasës pikërisht për shkak të mosndëshkimit adekuat nga institucionet përkatëse”, shkroi ajo.

Haxhiu tutje tha se vrasjet ndaj grave në Kosovë janë bërë fenomen që tejkalon çdo shqetësim.

“Nuk mund të presim emancipimin e askujt derisa të bëhen të vetëdijshëm për barazinë mes burrit dhe gruas. Asnjë qytetar nuk është mbi dikë tjetër, askush nuk është pronë e askujt. Gruaja dhe burri janë të barabartë. Dhe si shtet nuk do të tolerojmë asnjë lloj dhune të burrit ndaj gruas”, shkruan ministrja e Drejtësisë. /Zëri