Krasniqi: Vrasja e grave, alarm që duhet ta zgjojë secilin person
Foto: Laura Hasani

Krasniqi: Vrasja e grave, alarm që duhet ta zgjojë secilin person

Aktuale April 16, 2024 - 12:08

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas vrasjes së një gruaje sot në orët e para të mëngjesit në Pejë.

Krasniqi, përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, është shprehur se dy gra u vranë në tri ditë nga partnerët e tyre, të cilët kanë qenë edhe më parë të denoncuar në Polici për çështje të dhunës në familje.

“Dy gra të vrara në tri ditë nga partnerët e tyre – të cilët kanë qenë edhe më parë të denoncuar në Polici për çështje të dhunës në familje”.

Sipas tij, ky është alarmi që duhet të zgjojë secilin person që ka përgjegjësi për të garantuar sigurinë e qytetarëve, e sidomos institucionet shtetërore.

“Çfarëdo që është duke bërë aktualisht Qeveria e Kosovës, nuk është më e rëndësishme sesa siguria e grave në Kosovë”, shkroi Krasniqi.

Ai, ndër të tjera, ka kërkuar të krijohet një task-forcë me kompetenca të plota për mbrojtjen e grave nga dhuna dhe vrasjet.

“Duhet vepruar pa justifikime dhe pa përjashtime. Pa pardon për recidivistët. Me ndëshkueshmëri maksimale për dhunuesit dhe vrasësit e grave. Duhet garantuar mbrojtje, mbështetje dhe siguri për gratë. Mos lejoni që Kosova të shndërrohet në një vend ku jeta e grave nuk vlen aspak. Lëvizni, ju lutem, sepse nuk është momenti për fjalë”, përfundoi Krasniqi. /Zëri