RRGK: Të gjitha këto vrasje kanë për motiv gjininë

RRGK: Të gjitha këto vrasje kanë për motiv gjininë

Aktuale April 16, 2024 - 14:11

Një grua është vrarë mëngjesin e sotëm në qytetin e Pejës, ku i dyshuari për vrasjen e saj është bashkëshorti i viktimës.

Lidhur me këtë vrasje në Pejë ka pasur reagime të shumta, ku u dënua vrasja e gruas.

Viktima ishte asistente e stomatologjisë, ku ngushëllime kanë shprehur edhe nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës.

Një reagim për këtë vrasje e ka bërë edhe Rrjeti i Grave të Kosovës, nga ku thonë se e gjithë shoqëria duhet të bëhet zëri i grave dhe vajzave.

“Ende pa kaluar pesë ditë nga rasti tragjik i vrasjes së gruas në Ferizaj, sot na gjen tragjedia tjetër, ku për viktimë mbeti Gjyljeta Ukella, e vrarë nga bashkëshorti i saj, Edmond Lajçi. Deri më tani të gjitha këto vrasje kanë për motiv gjininë, po vriten gratë vetëm pse janë gra. Burrat po vazhdojnë të mendojnë se ata kanë të drejtë të vendosin për jetën e grave dhe vajzave që i rrethojnë”, thuhet në reagim.

Në reagim thuhet se sot duhet të ndihemi të gjithë fajtorë për tolerancën që e kemi ndaj dhunës e ndaj vrasjeve të grave.

“Sot gjithë shoqëria duhet të bëhet zëri i grave dhe i vajzave. Sot të gjithë duhet të ndihemi fajtor për tolerancën që e kemi ndaj dhunës e ndaj vrasjeve të grave. Vrasjet e grave duhet të trajtohen me urgjencë kombëtare. Sot shteti ynë duhet të fillojë menjëherë që me urgjencë ta trajtojë parandalimin e dhunës me bazë gjinore e të femicidit duke siguruar që të gjithë akterët relevantë për trajtim të dhunës me bazë gjinore kanë në dispozicion të gjithë mekanizmat, me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më të mira për viktimat, me viktimën në qendër, ashtu siç e kërkon edhe Konventa e Stambollit, pjesë e Kushtetutës së Kosovës”, theksohet në njoftim.

Tutje, sipas këtij rrjeti, sistemi mbrojtës duhet të zotohet se do të bëjë çmos që ushtruesit e dhunës të marrin dënimet meritore e që viktimat do të trajtohen me dinjitet e me përkushtim që përjetimet e dhunës të mos përsëriten.

“Sot shoqëria në përgjithësi duhet ta mbajë veten përgjegjëse për vrasjet e grave dhe dhunën sistematike që gratë po përjetojnë. Vetëm të bashkuar mund ta luftojmë dhunën në bazë gjinore dhe vrasjet e grave”, thuhet në njoftim. /Zëri