Bulliqi për themelimin e Zonës Industriale në Podujevë: Vendimi më i rëndësishëm që nga çlirimi
Foto: Laura Hasani

Bulliqi për themelimin e Zonës Industriale në Podujevë: Vendimi më i rëndësishëm që nga çlirimi

Aktuale April 19, 2024 - 11:44

Qeveria e Kosovës ka miratuar në mbledhjen e djeshme propozimin për themelimin e Zonës Industriale në komunën e Podujevës.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, e ka cilësuar këtë vendim si më të rëndësishmin për komunën që nga çlirimi, transmeton Zeri.info.

Zona Industriale ka një sipërfaqe prej 298,314 m2 dhe do të përfshijë 52 parcela me aktivitete prodhuese të ndryshme, duke përfshirë industrinë ushqimore, ndërtimore dhe tekstilet, shkruan Shpejtim Bulliqi.

Qëllimi kryesor i kësaj zone është të krijojë një ambient të përshtatshëm për bizneset vendore dhe ndërkombëtare, tërheqjen e investimeve të reja dhe të ofrojë mundësi të reja për punësim.

“Ky është njëri prej vendimeve më të rëndësishme pas çlirimit të komunës sonë; me vendimin e djeshëm është finalizuar puna disavjeçare e shumë mekanizmave institucionalë që kanë punuar me përkushtim të lartë e të paepur për këtë ditë”, shprehet Bulliqi.

Bulliqi ka uruar qytetarët e Podujevës dhe ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuuar në këtë projekt të rëndësishëm për zhvillimin e komunitetit lokal. /Zëri