Buja flet për KiE-në, Asociacionin dhe veteranët: Shteti i Kosovës, i varfër pa Thaçin e Krasniqin

Buja flet për KiE-në, Asociacionin dhe veteranët: Shteti i Kosovës, i varfër pa Thaçin e Krasniqin

Aktuale April 19, 2024 - 14:07

Ramë Buja, ish-nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë sot se shteti i Kosovës është i varfër politikisht në mungesë të Hashim Thaçit e Jakup Krasniqit.

Buja në një intervistë në emisionin “Destinim” në Radio Prishtina përmend arritjet që Kosova ka pasur gjatë kohës që ata kanë qenë në pushtet.

“Shteti i Kosovës është i varfër pa Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin. Ata njerëz ishin aq të vendosur për të realizuar veprimet e domosdoshme për ta realizuar shtetin sa që nuk mund të bëhet ndryshe. Veç t’i kujtojmë momentet se si u realizua shpallja e Pavarësisë së Kosovës së njëanshme, pasi ashtu është quajtur nga Serbia dhe Rusia, dhe si është koordinuar kjo punë me aleatët tanë të fuqishëm strategjik dhe shpirtëror pse jo, si mund të realizohet ndryshe më mirë”, thotë ai, transmeton Zeri.info.

Ai kritikoi Qeverinë aktuale se nuk po kujdeset për veteranët e luftës, duke thënë se Qeveria nuk po vepron si duhet e nuk po bën gjërat elementare për tu kujdesur për ish-pjesëtarët e UÇK-së që kanë nevojë.

“Kjo Qeveri nuk dëshiron të bëjë ato gjëra që janë më elementare për ti paguar shpenzimet që invalidët e luftës kanë i kanë për protezat që kanë humbur, gjymtyrët e tyre e shumë gjëra të tjera. Ajo pagë e veteranëve të luftës është e mjerë, s’ke çka thua dhe për çudi ligjërisht është një kufizim që nëse ti merr at pagë nuk ki drejt të punosh e të marrësh rrogë tjetër”, vazhdon Buja.

Në lidhje me hapat e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, Buja tha se Asociacioni nuk do të duhej të ishte kusht për anëtarësim, sipas tij nëse nuk do të bëhet do të jetë keq pasi që Këshilli i Ministrave nuk do ta votojë anëtarësimin e Kosovës në KiE.

“Asociacioni nuk do duhej të ishte kusht për tu anëtarësuar në Këshillin e Evropës, po meqë është nëse nuk do të bëhet kjo do të jetë keq, pasi Këshilli i Ministrave nuk do ta votojë anëtarësimin Kosovën për pranin me KiE. Do të ishte goditje e rëndë për ne. Nëse shtrohet çështja e Asociacionit, kjo çështje do të pengohet e do të vazhdojë të jetë në vendin që është”, vazhdon ai.

E për çështjen e dinarit profesori universitar, thotë se do duhej të mbetej krejtësisht në fund pasi që nuk është çështje kryesore për bisedim në Bruksel.

“Janë jo pak shqetësuese që për çka po bisedohet e për çka po humbet kohë sepse kjo çështja e dinarit ish dashur që të mos jetë çështje për bisedim në Bruksel e në përmasa Ndërkombëtare, është dashur të mbetej krejt në fund, tha ai. /Zëri