Hoti: Kurti po u hedh hi syve qytetarëve, marrëveshja në Bruksel dhe Ohër e përmban autonominë për serbët
Foto: Laura Hasani

Hoti: Kurti po u hedh hi syve qytetarëve, marrëveshja në Bruksel dhe Ohër e përmban autonominë për serbët

Aktuale April 19, 2024 - 15:17

Deputeti i Kuvendit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili sot shkroi për marrëveshjen e vitit 2013 të nënshkruar nga Hashim Thaçi, Ivica Daçiq dhe më pas të vitit 2015 nga Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq.

Hoti shprehet se postimi i fundit i kryeministrit lidhur me marrëveshjet e kaluara është “hedhje hi syve” për qytetarët.

“Postimi i fundit i kryeministrit lidhur me marrëveshjet e kaluara është ‘hedhje hi syve’ për qytetarët. Marrëveshja e vitit 2015 është bërë në dakordim me miqtë dhe ka siguruar dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të çdo drafti të Asociacionit”, shkroi Hoti.

Sipas tij, marrëveshja e kryeministrit Kurti e vitit të kaluar në Bruksel dhe Ohër e përmban autonominë për serbët.

Ndër të tjera, Hoti thotë se moskoordinimi dhe përplasja me aleatët e ka sjellë Kosovën në situatën ku nuk flitet më për marrëveshje finale me njohje reciproke, që ishte duke u negociuar nga qeveria paraprake.

“Fatkeqësisht, tani flitet për zbatim të Asociacionit që tanimë ka marrë premisa të një autonomie. Mashtrimet se: nuk ka dialog pa kërkim falje dhe kthimin e të pagjeturve, ka kushte për zbatim të Asociacionin dhe e mashtrime të tjera kanë dalë sheshit”, ka përfunduar Hoti në profilin e tij zyrtar në Facebook. /Zëri