IKSHPK: Prindërit kanë rol kryesor në vaksinimin e fëmijëve

IKSHPK: Prindërit kanë rol kryesor në vaksinimin e fëmijëve

Aktuale April 26, 2024 - 13:04

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njofton se ka aplikuar tri vaksina të reja në kalendarin e rregullt për vaksinimin e fëmijëve.

Vaksinën kundër Human Papilloma Virusit (HPV), e cila parandalon më shumë se 90% të kancerëve të lidhur me Human Papilloma Virusin, që është shkaktari më i shpeshtë i kancerit të qafës së mitrës;

Vaksinën kundër Pneumokokut (PCV), që mbron nga shkaktarët e sëmundjeve, si pneumonia (infeksion i mushkërive), meningjiti dhe bakteremia (sepsa);

Vaksinën kundër Rotavirusit (Rota), për t’i mbrojtur fëmijët, sidomos fëmijët e vegjël para se të arrijnë moshën 5-vjeçare, nga ky virus që shkakton diarre, të vjella, dhimbje barku dhe temperaturë të lartë.

Instituti përmend se prindërit luajnë rolin kryesor në vaksinimin e fëmijëve për të mbrojtur e përparuar shëndetin e tyre dhe për të siguruar një mjedis social që siguron mirëqenien e tyre.

“Angazhimi i prindërve nga të gjitha komunitetet në biseda konstruktive, duke ndarë me ta informacione të besueshme, i ndihmon ata që të kujdesen dhe të sigurohen që fëmijët e tyre t’i marrin të gjitha vaksinat e parapara në Kalendarin e rregullt të vaksinimit”, thotë IKSHPK-ja. /Zëri