Sead Veseli zgjidhet ushtari më i mirë i vitit 2024, shprehet i lumtur me rezultatin e treguar gjatë garës

Sead Veseli zgjidhet ushtari më i mirë i vitit 2024, shprehet i lumtur me rezultatin e treguar gjatë garës

Aktuale April 26, 2024 - 21:07

Sot, është mbajtur ceremonia e shpalljes së “Ushtarit më të mirë të vitit 2024”, ku krahas FSK-së, pjesë e garës ishin 8 shtete ndërkombëtare. Ushtari i FSK-së, Sead Veseli u zgjodh më i miri i kësaj gare, ku u shpreh se është i lumtur me rezultatin dhe se kanë shkëmbyer përvoja edhe me pjesëmarrësit ndërkombëtarë.

Garuan mes vete për katër ditë rresht në garën për ushtarin më të mirë të vitit 2024.

E të premten, ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës bashkë me ushtarakë të tetë shteteve tjera, morën pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve.

Në fjalën para tyre, Gjeneral Jeton Dreshaj përmendi rëndësinë e këtij ushtrimi për ushtarakët e FSK-së.

“Bota po ndryshon, sfidat e sigurisë janë të ndryshme sot dhe kush e di se çfarë do të ndodhë më pas, por e vetmja mënyrë për të kapërcyer dhe përgatitur për ato sfida është për të qëndruar afër dhe së bashku në tre anije të ndryshme: Partneriteti, marrëdhënia, miqësia. Të jesh ushtari më i mirë do të thotë të jesh gati për të luftuar, të jesh i gatshëm të kujdesesh për të tjerët dhe të jesh gati për të mbrojtur vlerat e lirisë, prspoeritetit dhe shoqërive demokratike”, Dreshaj.

Kurse për rezultatin e treguar në këtë ushtrim, zv.ministri i Mbrojtjes i përgëzoi pjesëmarrësit duke i motivuar për punën e njëjtë edhe në vazhdim.

“Është kjo ngjarje në të cilën keni bërë traditë e cila vit pas viti ka kulmuar vit pas viti me rezultate dhe jo vetëm që keni fituar në fushat që merreni dhe përballoheni çdo ditë si ushtarakë por edhe në shumë aspekte tjera të afrimit shoqërimit për njohur traditat dhe materializuar ato në vlera të përbashkëta në misionin e përbashkët që kemi të krijojmë vlera njerëzore dhe paqe në mision të cilin e kemi të përbashkët”, tha Syla.

Më pas u bë ndarja e çmimeve ku dy vendet e para nga ndërkombëtarët i zunë ushtarët nga Jordania, kurse i treti nga Mali i Zi.

Kurse, nga ushtarakët e FSK-së, çmimi i vendit të parë i takoi Sead Veselit.

Ai u deklarua ka qenë përvojë e mirë gara me ushtarë të vendeve ndërkombëtare, ku tha se edhe kanë përfituar njohuri nga ta.

“Gëzohem që kam qenë pjesë e kësaj gare sepse ka pasur edhe shtete ndërkombëtare kemi treguar vlerat tona ushtarake si pjesë e FSK-së… Ka qenë bashkëpunim i mirë dhe garë shumë interesante u kon shumë e mirë dhe pak sfiduese… Ju dëshiroj suksese edhe në garat tjera ndërkombëtare me kallzu rezultate sa më të mira”, tha Sead Veseli për Tëvë1.

Derisa ushtari jordanez, tha se është mahnitur me Kosovën dhe se shpreson që të ketë bashkëpunime tjera në këtë fushë.

“Jam shumë i lumtur tani sepse mora çmimin e parë të kësaj gare. Gara ishte shumë e vështirë dhe dëshiroj të falënderoj Kosovën për të gjitha, për organizimin që kemi pasur dhe dëshiroj të falënderoj të gjithë instruktorët. Falënderoj Zotin për gjithçka, unë e pëlqej këtë vend dhe dëshiroj që të bashkëpunojmë bashkë me këta djem në të ardhmen”, tha Modammed Yoused Ahmad.

Pjesë e garës kanë qenë 51 pjesëtarë, ku 29 ishin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria, Kroacia, Maqedonia e veriut, Mali i zi, Jordania, Kanada dhe Latvia.