Abdixhiku ndan dekoratën “Dr. Ibrahim Rugova” për heroin Sali Çekaj
Foto: Facebook

Abdixhiku ndan dekoratën “Dr. Ibrahim Rugova” për heroin Sali Çekaj

Aktuale April 28, 2024 - 15:57

Në Hamburg të Gjermanisë sot është mbajtur akademi përkujtimore për nder të heroit të Kosovës, Sali Çekaj.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku thotë se “mes bashkëatdhetarëve e bashkëpunëtorëve të orëve të rënda, rikujtuam në 25 vjetorin e rënies heroike, gjithë kontributin jetësor të një njeriu që la gjurmë në kohë”.

Ai ka ndarë edhe dekoratën ‘Dr. Ibrahim Rugova’ për heroin Sali Çekaj.

“Duke vazhduar traditën e nisur nga Presidenti Dr. Ibrahim Rugova, në cilësinë e kryetarit të katërt të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasardhës i funksionit politik të kryetarit Rugova, kam vendosur që për kontributin e tij në luftën për çlirim, liri e pavarësi të ndajë Dekoratën më të lartë që e jep Lidhja Demokratike e Kosovës, Dekoratën “Dr. Ibrahim Rugova”, për Heroin e Kosovës, Sali Çekaj.

Kjo dekoratë, le të shërbejë jo vetëm si mirënjohje për gjithë kontributin e tij për çlirim, por të shërbejë si rikujtim për gjithë brezat e ardhshëm se liria e vendit tonë është arritur me shumë mund e sakrificë nga burrat dhe gratë më të devotshme të kombit”, ka thënë Abdixhiku në fjalimin e tij. /Zëri