Scholz – Kurtit: Duhen hapa konkret drejt themelimit të Asociacionit në kuadër të anëtarësimit në KiE
Foto: Laura Hasani

Scholz – Kurtit: Duhen hapa konkret drejt themelimit të Asociacionit në kuadër të anëtarësimit në KiE

Aktuale April 29, 2024 - 17:50

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, hapa konkret për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, kur në pyetje është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në një bisedë telefonike të hënën me Kurtin, në njoftimin e Kancelarisë gjermane thuhet se Scholz ka theksuar mbështetjen e Qeverisë Federale për integrimin evropian të Kosovës dhe rikujtoi rëndësinë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

“Kancelari përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit. Ai nënvizoi rëndësinë e hapave konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga autoritetet e Kosovës, edhe në kuadër të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës’, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, lidhur me këtë bisedë telefonike është deklaruar edhe kryeministri Kurti.

“Në një telefonatë me kancelarin gjerman Scholz i shpreha mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë për Kosovën dhe nënvizova shpresën se Gjermania do ta mbështesë kandidaturën tonë për anëtarësim në KiE në përputhje me rekomandimet e PACE. Po ashtu rikonfirmova angazhimin tonë për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë”, ka shkruar Kurti në X.

Ndërkohë Zyra e Kryeministrit të Kosovës përmes një njoftimi për media ka dhënë versionin e saj rreth kësaj bisede.

Siç thuhet në njoftim se kjo bisedë ka ardhur pas votimit të suksesshëm këtë muaj nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE) e cila me 131 vota PËR kërkoi nga Komiteti i Ministrave që të pranojë Kosovën si anëtaren më të re të Këshillit të Evropës muajin e ardhshëm.

“Marrëdhëniet ndërshtetërore dhe integrimi evropian i Kosovës, përkatësisht anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës ishin temat kryesore të bisedës.
Kryeministri Kurti e njoftoi kancelarin gjerman për progresin e arritur socio-ekonomik në këto tri vjet qeverisje në Kosovë: për zhvillimin e ekonomisë dhe përmirësimin në indikatorët e demokracisë e të sundimit të ligjit”, thuhet në njoftim.

Tutje zyra e kryeministrit, bënë të ditur se me kornizën më të avancuar në Evropë për të drejtat dhe mbrojtjen e komuniteteve joshumicë, të theksuara edhe nga raporti i Juristëve Eminent të Këshillit të Evropës, rezultatet në demokraci, sundim të ligjit dhe të drejtave të njeriut, pranimi i Kosovës në Këshill të Evropës është veprimi i drejtë dhe vendimi i duhur në promovimin e vlerave të vetë Këshillit dhe avancimin e demokracisë, theksoi kryeministri gjatë diskutimit mbi procesin e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, teksa kërkoi nga kancelari mbështetjen e Gjermanisë deri në anëtarësim e plotë të Kosovës.