Osmani falënderon ligjvënësit e PE-së: Ishit kampionë të popullit tonë

Osmani falënderon ligjvënësit e PE-së: Ishit kampionë të popullit tonë

Aktuale April 29, 2024 - 23:44

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka falënderuar ligjvënësit evropian që në këtë mandat kanë mbështetur vazhdimisht Republikën e Kosovës në rrugën e saj evropiane. Ajo ka falënderuar edhe presidenten Roberta Metsola që ngritën zërin për popullin e Kosovës.

“Kosova ishte e bekuar që kishte miq, aleatë, avokatë të panumërt eurodeputetë që na qëndruan pranë  në Parlamentin Evropian. Ata vazhdimisht mbështetën vendosmërinë tonë të qartë ndaj BE-së, përkrahën me këmbëngulje procesin e liberalizimit të vizave dhe ishin kampionë të vërtetë të popullit tonë”, ka shkruar Osmani.“Për presidenten Roberta Metsola dhe të gjithë euro-deputetët që ngritën zërin për popullin e Kosovës, faleminderit! Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë në këtë rrugë, të papenguar. Kosova në BE”, ka shkruar Osmani në rrjetin social X.

Kujtojmë se kjo nomenklaturë e Parlamentit Evropian ka përfunduar mandatin. Qytetarët e Bashkimit Evropian do të votojnë nga 6 deri më 9 qershor për t’i zgjedhur 720 anëtarë të rinj të Parlamentit Evropian për pesë vjetët e ardhshme.

Ndryshe, Parlamenti Evropian është njëri prej tre institucioneve kryesore të BE-së. Së bashku me qeveritë e BE-së, ai vendos për ligjet në lidhje me politikat e përbashkëta evropiane dhe për tregun e BE-së që ka gati 450 milionë qytetarë të Evropës.