Tirana ia vë një rruge emrin “Remzi Hoxha”, mirëpritet nga familja

Tirana ia vë një rruge emrin “Remzi Hoxha”, mirëpritet nga familja

Aktuale April 30, 2024 - 12:19

“Remzi Hoxha” do ta bartë emrin një rrugë në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.

Kjo është mirëpritur nga familja e ish-ndërmarrësit dhe aktivistit të çështjes kombëtare.

I biri i Remzi Hoxhës, Ardian Hoxha, ka thënë se emërtimi i rrugës është homazh dhe nderim për jetën e të atit të tij dhe kujtesë e angazhim për drejtësi dhe të vërtetën.

“Jemi krenarë t’ju njoftojmë se një rrugë në Tiranë tashmë ka marrë zyrtarisht emrin e babait tim, Remzi Hoxha, duke iu bashkangjitur qyteteve të tjera si Prishtina, Ferizaji, Kaçaniku, Shkupi dhe tani Tirana për të nderuar kujtimin e tij. Remzi Hoxha, i lindur në Shkup, ishte një ndërmarrës i respektuar dhe aktivist për çështjen kombëtare shqiptare në Kosovë dhe më gjerë. Ai u zhvendos në Shqipëri për të shpëtuar nga persekutimi i regjimit të Millosheviçit dhe për të vepruar më lirshëm nga mëmëdheu jonë, Shqipëria”, shkruan Ardian Hoxha.

“Ai reflekton përkushtimin tonë të vazhdueshëm për të njohur luftërat dhe sakrificat e atdheut dhe gjithë shqiptarëve anembanë botës. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të. Faleminderit Tirana!”.

Në shkrimin e tij, Ardiani, ka dhënë shpjegime se si i ati I tij ishte zhdukur e ku për këtë rast akuzon ish-presidentin dhe ish-kryeministrin, Sali Berisha.

“Fatkeqësisht, më 21 tetor 1995, Remzi Hoxha u rrëmbye në qendër të Tiranës nga agjentët e SHIK-ut të presidencës së Sali Berishës. Më shumë se 28 vite më vonë, ai është ende pa një varr. Shkak i zhdukjes së tij ishte fakti që ai zbuloi informacione komprometuese për Berishën, duke përfshirë një takim të planifikuar me Presidentin serb Sllobodan Millosheviç, që do të ishte parë si tradhti ndaj çështjes shqiptare”.

“Incidenti i dytë ishte kur babai im pa Bashkim Gazideden, drejtorin e SHIK-ut në atë kohë, duke drekuar me shefin paraushtarak serb Zeljko Raznatoviç, i njohur ndryshe si Arkani, në qytetin shqiptar të Shkodrës – gjë që gjithashtu do të shihej si tradhti. Gjithashtu, Sali Berisha është akuzuar edhe për thyerjen e embargos së naftës ndaj Serbisë dhe që ka arrestuar disa luftëtarë të UÇK-së, përfshi edhe Adem Jasharin”.