Gërvalla dhe homologu estonez diskutojnë për fushën e digjitalizimit dhe situatën e sigurisë në Evropë dhe Ballkan

Gërvalla dhe homologu estonez diskutojnë për fushën e digjitalizimit dhe situatën e sigurisë në Evropë dhe Ballkan

Aktuale May 02, 2024 - 11:21

Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Estonisë në fushën e digjitalizimit, e-qeverisjes, shërbimeve online, shkëmbimin e eksperiencave dhe fuqizimin e marrëdhënieve në fushat me interes të përbashkët ishin temat kryesore të takimit që zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, pati me ministrin e Punëve të Jashtme të Estonisë, Margus Tsahkna, në margjina të takimit të ministrave të BE-së me ministrat e shteteve që kanë një perspektivë të anëtarësimit në BE, pra të Ballkanit Perëndimor, Turqisë, Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë.

Në një komunikatë për media nga MPJD-ja, thuhet se dy ministrat biseduan rreth situatës së sigurisë në Evropë dhe Ballkanin Perëndimor, rreziqeve që kërcënohen nga Rusia dhe satelitët e saj si Serbia, si dhe nevojën e ndërmarrjes së veprimeve të përbashkëta në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe me gjerë.

“Gjatë këtij takimi ministrja Gërvalla e njoftoi ministrin e Punëve të Jashtme të Estonisë, Margus Tsahkna, rreth progresit që Republika e Kosovës ka shënuar në shumë fusha, duke përfshirë sundimin e ligjit, demokratizimin e vendit dhe mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve, fusha këto të cilat janë konfirmuar nga raporte të ndryshme ndërkombëtare por edhe nga raporti i Raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu thuhet se Gërvalla e falënderoi homologun e saj estonez për mbështetjen e madhe që Estonia i ka dhënë Kosovës në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe tani në hapin e fundit për anëtarësim në Këshillin e Ministrave. /Zëri