Kalimi nga patentë shoferët ilegalë në RKS, Kurti mesazh në gjuhën serbe: Duam t’jua lehtësojmë problemet e përditshme
Foto: Laura Hasani

Kalimi nga patentë shoferët ilegalë në RKS, Kurti mesazh në gjuhën serbe: Duam t’jua lehtësojmë problemet e përditshme

Aktuale May 07, 2024 - 09:58

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se nga 9 maji qytetarëve serbë do t’u mundësohet kalimi nga patentë shoferi i lëshuar nga institucionet ilegale serbe në Kosovë, në ato zyrtare, të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës.

E lidhur me këtë, kryeministri Albin Kurti në një adresim përmes një videomesazhi ka thënë se qe një kohë të gjatë kanë pranuar kërkesa për një vendim të tillë.

“Një kohë të gjatë pranojmë kërkesat tuaja për marrjen e një vendimi të këtillë. Ne duam t’jua lehtësojmë qytetarëve tanë problemet e përditshme me të cilat ballafaqohen. Tani është e nevojshme infrastruktura në vend, andaj edhe Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar pozitivisht”, tha Kurti.

Kurti ka shtuar se është mundësuar një proces shumë i lehtë dhe efikas për kalim në patentë shoferw të vlefshëm.

“Kalimi në patentë shoferë të RKS-së mundëson regjistrimin e lehtë dhe praktik të automjeteve. Nuk kërkon përsëritje të dhënies së provimit për fitim të patentë shoferit por vetëm aplikim të cilin, çdo qytetar duhet ta dorëzojë në Qendrën për Pajisje me Dokumente, përfshirë: letërnjoftimin, origjinalin e patentës së shoferit të lëshuar nga ana e autoriteteve serbe, certifikatën e gjendjes shëndetësore për pajisje me patentë shofer, dëshmi të pagesës së taksës, dhe origjinalin e patentës së shoferit të lëshuar nga UNMIK-u ose RKS-ja në qoftë se bëhet aplikimi për shtimin e kategorive, gjë e cila po ashtu është mundësuar përmes këtij vendimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, tha ai.