Gjermania pret nga Kosova “hapa të tjerë konkretë” lidhur me Asociacionin për KiE
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë hapa konkretë për themelimin e Asociacionit, në mënyrë që ta arrijë shumicën e nevojshme të votave për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Kuinti dhe të tjerët kanë theksuar vazhdimisht se Kosova pritet të ndërmarrë hapa të prekshëm për themelimin e ASMM-së, në mënyrë që të arrijë shumicën e nevojshme prej dy të tretave në Komitetin e Ministrave që aplikimi për anëtarësim të jetë i suksesshëm”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Gjermanisë për Dukagjinin.
Sipas kësaj ambasade, hapi fillestar që do të duhej ta merrte Qeveria është dorëzimi i draftstatutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.
“Sipas mendimit tonë, një hap i tillë do të ishte dorëzimi i draftstatutit në Gjykatën Kushtetuese. Siç tha ambasadori Rohde në postimin e tij në Twitter pas votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës: ‘Kosova tani duhet të bëjë punën e rëndë’. Kjo ende nuk ka ndodhur”, thuhet në përgjigje.
Në përgjigjen e Ambasadës Gjermane theksohet se ”i takon kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së tij që të bindin numrin e nevojshëm të shteteve me mjete të tjera, pra duke ndërmarrë hapa të tjerë konkretë drejt krijimit të ASMM-së, të cilën Kosova është zotuar ta themelojë dhe që për këtë arsye është obligim ndërkombëtar”.