Osmani: SHBA-ja është në ADN-në e suksesit të shtetit tonë
Foto: Facebook

Osmani: SHBA-ja është në ADN-në e suksesit të shtetit tonë

Aktuale May 07, 2024 - 11:44

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë përcaktues për fatin e Kosovës, ndaj, siç theksoi ajo, SHBA-ja është në ADN-në e suksesit të shtetit tonë.

“Në eventin qendror me rastin e 20-vjetorit të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) në prag të Samitit SHBA - Afrikë, me pjesëmarrjen e presidentit George W. Bush, njëherësh themelues i MCC-së, fola për shtetndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës, me ç’rast rikonfirmova rolin e pakontestueshëm të SHBA-së për lirinë dhe shtetndërtimin”, shkroi Osmani në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, përcjell Zeri.info.

Presidentja ka shtuar se MCC-ja po vazhdon të ofrojë mbështetje të çmueshme për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Në të njëjtën frymë sot, MCC-ja po e vazhdon këtë trashëgimi duke ofruar mbështetje të çmueshme për zhvillimin ekonomik e të qëndrueshëm të Kosovës, duke e bërë vendin tonë pjesë të pandashme të sukseseve, të cilat i përfaqëson SHBA-ja kudo në botë”, është shprehur Osmani.