Bordi i AKP-së zotohet se do t’i adresojë kërkesat e punëtorëve

Bordi i AKP-së zotohet se do t’i adresojë kërkesat e punëtorëve

Aktuale May 07, 2024 - 14:46

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione ka diskutuar lidhur me peticionin e punëtorëve të AKP-së.

Të pranishëm në mbledhje ishin kryesuesi Mentor Hysenaj i Bordit Drejtorëve të AKP-së dhe drejtori ekzekutiv i AKP-së, Arben Limaj.

Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të AKP-së, Mentor Hysenaj, ka thënë se pas një kërkese që i është bërë nga punëtorët i kanë takuar së bashku me zëvendëskryesuesin dhe tre anëtarë të tjerë të bordit.

Sipas tij, kanë diskutuar në detaje të gjitha çështjet dhe shqetësimet që i kanë ngritur ato.

“Në parim ne e kemi thirrur grupin e grave të cilat e kanë përgatitur peticionin. Pas një kërkese që i është bërë bordit dhe e kemi takuar së bashku me zëvendëskryesuesin dhe tre anëtarë tjerë të bordit që kemi diskutuar në detaje të gjitha çështjet dhe shqetësimet që i kanë ngritur ato. Madje, kam dëgjuar edhe deklarimin e saj publik në komision këtu në detaje. Mund të them se jam ekonomist me profesion, çështja e statistikave shpesh din të manipulohet, varësisht prej këndvështrimit si e sheh njeriu, e megjithatë e përgëzoj për iniciativën që e ka bërë si çështje e ngritjes së pabarazisë që ndodhet në AKP, e gjithë Kosovën”, ka thënë Hysenaj.

Kryesuesja e Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, deputetja Duda Balje ka pyetur kryesuesin e Bordit të Drejtorëve të AKP-së se sa punëtorë janë.

“Të kemi thirr sot me folë për barazi gjinore brenda shtëpisë a ka pas, jo në Kosovë, të lutem koncentrohu në institucionin që përfaqësoni. Për fillim sa punëtorë jeni komplet”, ka pyetur Balje.

Hysenaj ka thënë se kanë diskutuar për të gjitha detajet e ngritura.

“Kemi diskutuar për të gjitha detajet e ngritura. Barazia gjinore është term tjetër. Janë 209 të punësuar dhe çdo statistikë e ka një histori”, tha ai, raporton EO.

Ai tha se 54% janë gra prej zyrtarëve në AKP-së. Gjithashtu përmendi një shpallje brenda AKP-së. Si përfundim sipas tij, janë 5 kandidatë të kualifikuar e në bazë ligjit prej tyre kanë kaluar vetëm dy burra.

“Kemi pas shumë dëshirë të jemi shumë femra, ka shumë femra të zonja që punojnë mbi 20 vjet. Statistika si bord 8% femra kanë qenë e tash 17% në pozita të mesme”, është shprehur Hysenaj.

Hysenaj tha se nganjëherë duke dashur të respektojmë një të drejtë, shkelet një e drejtë tjetër.

Deputetja e Vetëvendosjes, Arjeta Fejza, tha se çka ishte pak shqetësuese për të ishte se gratë kanë hezituar të vijnë në komision si shkak i frikës së hakmarrjes.

Fejza tha se Bordi e ka për detyrë të hartojë politika përkrahëse për gratë, duke shtuar se ligjet e Kosovës e njohin përparësinë drejtë avancimit të gruas.

Ndërsa Hysenaj ka thënë se në Kosovë vetë femrat fatkeqësisht në Kosovë nuk i votojnë femrat.

“Vetë femrat fatkeqësisht në Kosovë nuk i votojnë femrat për me heq kuotën”, ka thënë Hysenaj.

Kjo është kundërshtuar nga deputetja Fejza, e cila ka thënë se kjo nuk qëndron.

Hysenaj ka thënë se ai është i thirrur ta mbrojë ligjin.

“Unë jam thirrë me mbrojt ligjin, ashtu si ju në kuvend që i keni miratu. Unë vet jam jurist, dhe ju siguroj pa asnjë hezitim. E ftoj Komisionin edhe deklarimet t’i hetojë deri në fund. Jam i hapur me bashkëpunu, asnjë ankesë nuk e kam për ndonjë shkelje për frikësim e as nuk i kam ftu as me i vet për kurgjo peticionistët. Mundohemi në bazë të aftësive me i mbush pozitat me femra unë në AKP jam prej 2010-ës dinamikat i di mirë”, tha Hysenaj.