Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, deri në orën 11:00 votuan 13 për qind e qytetarëve
Foto: AP

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, deri në orën 11:00 votuan 13 për qind e qytetarëve

Aktuale May 08, 2024 - 12:24

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut po votojnë që nga mëngjesi i së mërkurës për t’i zgjedhur presidentin dhe parlamentin e ri të vendit në zgjedhje të dyfishta.

Vendevotimet u hapën në orën 7:00 dhe dalja në zgjedhje presidenciale deri në orën 11:00 ishte 12.87 për qind e gjithsej 1.8 milion qytetarëve me të drejtë vote. Kurse, për zgjedhjet parlamentare kanë votuar 13.69 për qind e trupit, sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ).

Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut po zhvillohen në atmosferë demokratike dhe pa probleme, bëri të ditur Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Shkup.

Në zgjedhjet presidenciale, sipas KSHZ-së, u shënua një pjesëmarrje pak më e lartë, ndryshe nga rundi i parë më 24 prill.

Pjesëmarrje më e ulët është regjistruar në zonat e banuara me shqiptarë.

“Mund të vërehet se në Maqedoninë lindore dhe qendrore më shumë votues kanë votuar në zgjedhjet presidenciale, ndërsa në pjesën perëndimore pjesëmarrja ka qenë më e ulët”, njoftoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Novakovski, hodhi poshtë pretendimet se mund të ketë bojkot të zgjedhjeve presidenciale, duke thënë se dalja e hershme në zgjedhjet e sotme është e ngjashme me atë të zgjedhjeve të kaluara presidenciale në vitin 2019.

“Nga ajo që unë shoh këtu, nga të dhënat e besueshme që na kanë arritur, si edhe nga ajo që ju dëgjuat, absolutisht se nuk ka [bojkot]", tha ai.

Rreth 1.8 milion shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë të drejtë vote në këto dy palë zgjedhje: rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, si dhe në zgjedhjet parlamentare.

Këto janë zgjedhjet e para të dyfishta që mbahen në ketë vend prej vendosjes së demokracisë në vitet ‘90.

Në garën për Parlamentin e ri marrin pjesë 17 parti dhe koalicione. Beteja kryesore zhvillohet mes VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së në kampin maqedonas, ndërsa në atë shqiptar mes Frontit Evropian, të kryesuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, dhe koalicionit opozitar VLEN.

Në radhët e Frontit Evropian garojnë edhe pesë parti politike të bashkësive etnike turke, rome dhe boshnjake.

Zgjedhjet zhvillohen me lista të mbyllura, sipas sistemit proporcional në gjashtë njësi zgjedhore dhe, në çdonjërën prej tyre, zgjidhen nga 20 deputetë.

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut i ka 120 ulëse.

Partitë shqiptare betejën kryesore do ta zhvillojnë në njësitë zgjedhore një, dy dhe gjashtë, ku edhe jeton popullata shqiptare.

Bazuar në sondazhet, dhe në veçanti në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale që u mbajt më 24 prill, VMRO DPMNE-ja është favorite për një fitore të thellë në këto zgjedhje. /REL