Komuna e Graçanicës me standarde të dyfishta, Gashi: Shqiptarët po përjashtohen nga lejet e ndërtimit

Komuna e Graçanicës me standarde të dyfishta, Gashi: Shqiptarët po përjashtohen nga lejet e ndërtimit

Aktuale May 08, 2024 - 15:38

Shqiptarët që jetojnë në Komunën e Graçanicës po përballen me diskriminim nga udhëheqësit e kësaj komune.

Shqetësimin për zbatimin e standardeve të dyfishta në aplikimin e një rregulloreje për pajisjen me leje të ndërtimit e ka shprehur së fundmi edhe zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal të Graçanicës, Granit Gashi.

Gashi në një intervistë për Telegrafin ka thënë se banorët shqiptarë të kësaj komune kanë filluar të përballen me diskriminim që nga themelimi i komunës në vitin 2009, por që më i theksuar ka qenë në vitin 2018 kur edhe është miratuar Rregullorja për pajisje me leje të ndërtimit.

“Në nenin 36 të kësaj Rregullore parashihet që secila parcelë që është me destinim për ndërtim e që pronari i asaj parcele dëshiron të ndërtojë, ajo parcelë do duhet të ketë qasje direkte në rrugë publike, e që në këtë rast Komuna është i vetmi autoritet publik, i cili e bën një rrugë publike ose jopublike”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, që nga viti 2018 e deri më tani nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi për banorët shqiptarë të komunës së Graçanicës.

“Për banorët serbë janë lëshuar leje, pasi janë ndërtuar komplekse banimi për komunitetin serb sidomos për ata që e kanë statusin e të riatdhesuarit”, tha Gashi.

Ai ka deklaruar se si asamblist ka propozuar që Kuvendi Komunal ta shfuqizojë këtë nen, por që propozimi i është refuzuar.

“Më datën 19 mars kam paraqit kërkesë te kryetari i komunës dhe te kryesuesja e Kuvendit Komunal që ta vendos në rend dite shfuqizimin e kësaj rregullore, por me datë 29 kur është mbajt seanca e Kuvendit Komunal, propozimi për shfuqizim të këtij neni nuk ka kaluar, jam vetëm unë asamblist, 18 të tjerë janë serbë nga Lista Serbe dhe të gjithë kanë refuzuar që kjo pikë të futet në rend të ditës”, theksoi Gashi.

Ai tutje u shpreh se për diskriminimin që po u bëhet shqiptarëve përmes kësaj rregullore, ka parashtruar kërkesa edhe në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, si dhe tek Avokati i Popullit.

Gashi thekson se MAPL-ja ka konstatuar kjo rregullore është e kundërligjshme dhe ka kërkuar nga komuna që e njëjta të shfuqizohet, derisa thotë se janë në pritje të një raporti final që do ta nxjerrë Avokati i Popullit.

Ai thotë se edhe pse MAPL-ja ka kërkuar shfuqizimin e kësaj rregullore, Komuna e Graçanicës nuk e ka përfillë një gjë të tillë.

“Alternativa e vetme që ne, unë si përfaqësues i qytetarëve në Komunën e Graçanicës, po edhe vetë qytetarët e kemi në Gjykatën Kushtetuese, ku së shpejti do të përgatisim një draft që do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese, ku do të kërkojmë që të vlerësohet ligjshmëria dhe kushtetutshmëria e kësaj Rregullore konkretisht neni 36 i saj”, ka thënë Gashi, duke shpresuar që Kushtetuesja në fund do të vendosë në favorin e tyre.

I pyetur se kjo sjellje ndaj shqiptarëve të Graçanicës ka lidhje me ndikimet politike, Gashi nuk e ka mohuar një gjë tillë. Madje ai ka përmendur një vizitë që kishte kryer në Graçanicë në vitin 2018, presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Në vitin 2018 ish-kryeministri atëhershëm, tashmë presidenti Aleksandar Vuçiq ka qenë në vizitë në Graçanicë dhe me urdhër të tij janë ndërmarrë disa veprime nga ana e Komunës së Graçanicës, me të cilat i kanë penguar banorët shqiptarë edhe që të regjistrohen si banorë rezidentë në komunën e Graçanicës e që nesër potencialisht të jenë edhe votues në atë komunë”, u shpreh Gashi.

Zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal të Graçanicës ka thënë në fund se miratimi i kësaj rregullore ua ka vështirësuar jetesën banorëve shqiptarë, pasi të njëjtët e kanë të pamundur pajisjen me leje për ndërtimin e shtëpive të tyre.

Për këtë problematikë Telegrafi kishte raportuar edhe para një viti, ku banorët e kësaj komune i ishin drejtuar me disa kërkesa për këtë problematikë Avokatit të Popullit, Presidencës, Kryeministrisë, Kuvendit, ambasadave të huaja në Kosovë, Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. /telegrafi