Shkarkohet kryesindikalisti i Policisë, Imer Zeqiri
Foto: Laura Hasani

Shkarkohet kryesindikalisti i Policisë, Imer Zeqiri

Aktuale May 19, 2024 - 13:12

Sindikata e Policisë së Kosovës ka votuar të dielën për shkarkimin e kryetarit të saj, Imer Zeqiri.

Nga Sindikata është bërë e ditur se në Kuvendin e jashtëzakonshëm të thirrur nga Këshilli Drejtues i Sindikatës është votuar për shkarkimin e Zeqirit. U tha se në Kuvend ishin të pranishëm 60 delegatë nga gjithsej 73 sa i ka Kuvendi dhe se në mënyrë anonime u votua për shkarkimin e Zeqirit.

“Sot më datë 19.05.2024 është mbajtur Kuvendi i Përgjithshëm i Jashtëzakonshëm ku ishte thirrur nga Këshilli Drejtues i SPK-së bazuar në Ligjin mbi Organizimin Sindikal dhe Statutit të Sindikatës së Policisë së Kosovës, me të vetmen pikë të rendit të ditës për votimin e shkarkimit të kryetarit të SPK-së, Imer Zeqiri. Në këtë Kuvend të pranishëm ishin 60 delegatë të Kuvendit nga gjithsej 73 delegatë që ka ky Kuvend dhe në mënyrë unanime me vota të hapura të gjithë votuan PRO shkarkimit të kryetarit të Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri. Kuvendi i Përgjithshëm i SPK-së i siguron të gjithë anëtarët e Sindikatës së Policisë së Kosovës se kjo Sindikatë do të vazhdoj punën pa pengesa deri në Kuvendin e ardhshëm duke mbrojtur të drejtat e çdo punonjësi të Policisë së Kosovës, ngritjen e mirëqenies dhe kushteve të punës”, ka njoftuar Sindikata.

Inspektorati Policor i Kosovës kishte rekomanduar më 10 maj suspendimin e një togeri policor nën dyshimin se ka kryer veprën penale të “fotografimit dhe incizimeve tjera të paautorizuara”.

Sipas njoftimit nga IPK-ja, departamenti i hetimeve pas pranimit të informatës ka dalë në vendin e ngjarjes ku dyshohet të jetë kryer vepra penale. Në njoftim theksohet se kjo ka ndodhur në zyrat e Sindikatës së Policisë së Kosovës.

IPK-ja ka thënë se zyrtarët e saj kanë kontaktuar me Prokurorin kompetent duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore së bashku edhe me njësi relevante të Policisë.

E Sindikata e Policisë së Kosovës, në një komunikatë për media të premten në mbrëmje, kishte njoftuar se togeri i suspenduar nën dyshimin për “fotografim dhe incizime të tjera të paautorizuara”, ishte kryetari i saj, Imer Zeqiri.