Rama diskuton me Cameronin për Kosovën: Britania do përfundim të suksesshëm të dialogut

Rama diskuton me Cameronin për Kosovën: Britania do përfundim të suksesshëm të dialogut

Aktuale May 22, 2024 - 13:25

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se me sekretarin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Cameron, kanë diskutuar edhe për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe hekurudhën Prishtinë – Durrës.

Cameron ka vizituar sot Tiranën, ku është pritur me nderime të larta shtetërore.

Sipas Ramës, Britania ka shprehur interes të veçantë për marrëdhëniet në rajon dhe e do të suksesshëm përfundimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kemi diskutuar dhe për proceset e paqes në rajon. Lordi Cameron është mbështetës i vendosur i këtyre proceseve. Britania e Madhe ka shprehur interes të veçantë për normalizimin e marrëdhënieve në rajon dhe për të parë përfundimin me sukses të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Rama.

Përveç dialogut, Rama ka thënë se u diskutua edhe për hekurudhën Durrës – Prishtinë, projekt të cilin Britania e Madhe është shprehur e gatshme të ndihmojë.

“Pa hyrë në të gjitha planet e bashkëpunimit tonë bilateral, dëshiroj të theksoj se kemi folur për përfshirjen e Britanisë së Madhe në një projekt strategjik për Kosovën dhe rajonin, që është hekurudha Durrës-Prishtinë, që është element kyç për rritjen e kapaciteteve të lëvizjes në rajon dhe më gjerë. Së shpejti ne hapim garën ndërkombëtare për Portin e ri të Durrësit. Jemi në diskutime me NATO-n për krahun e armatosur të portit, siç jeni të informuar edhe Kosova do të ndërtojë një port të thatë në Prishtinë. Britania e Madhe ka shprehur angazhim qoftë me financimin ashtu edhe me ekspertizën”, u shpreh Rama.

Rama e Cameroni diskutuar edhe për emigracionin, për të cilin sekretari i Jashtëm britanik ka thënë se “Shqipëria e përballoi me sukses”.