Pas reagimit të KFOR-it, Grupi Ndërkombëtar i Krizave ndryshon raportin për Banjskën
Foto: Laura Hasani

Pas reagimit të KFOR-it, Grupi Ndërkombëtar i Krizave ndryshon raportin për Banjskën

Aktuale May 28, 2024 - 18:31

Grupi Ndërkombëtar i Krizave e ka ndryshuar një pjesë të tekstit nga raporti për Kosovën ku ndër tjerash për sulmin në Banjskë thuhej se zyrtarë të KFOR-it patën negociuar për tërheqjen e një pjese të grupit të sulmuesve të armatosur serbë nga atje.

Ndërkaq, teksti është ndryshuar më 28 maj. Në të tani thuhet se “gabimisht” ishte cekur se KFOR-i ka negociuar tërheqjen e grupit të armatosur serb nga Banjska.

“Teksti është përditësuar më 28 maj 2024. Versioni origjinal i këtij raporti kishte cekur gabimisht se personeli i KFOR-it kishte negociuar për tërheqjen e grupit të serbëve të armatosur nga rrethimi në Banjskë”, thuhet në tekst.

Vetë KFOR-i pati reaguar menjëherë që pas publikimit të draftraportit. Në një deklaratë e pati quajtur të pasaktë atë, duke deklaruar se “në asnjë moment nuk është i përfshirë në negociatat e supozuara”.

“Pasi u ftua për të përforcuar praninë e tij, KFOR-i është koordinuar ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) për të rivendusur sigurinë në zonë. Dhuna që ndodhi në Banjskë erdhi pas një sulmi ndaj paqeruajtësve të KFOR-it në maj të 2023-s, i cili rezultoi në plagosjen e 93 pjesëtarëve të personelit të KFOR-it, disa prej të cilëve pësuan lëndime të rënda”, thuhej në reagimin e KFOR-it.

Draftraporti “Ballkani Perëndimor: Sfidat e reja të sigurisë në pragun e NATO-s”, i paraqitur të shtunën në Sofje, përfshiu edhe të dhëna nga raporti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave (2 prill), në të cilin jepen hollësi për sulmin e fundshtatorit të 2023-s.

“Pas një periudhe të shkurtër të përshkallëzimit gjatë verës, në shtator të 2023-s, rreth 30 burra të armatosur u përplasën me policinë në Banjskë në veri të Kosovës dhe u barrikaduan brenda manastirit ortodoks serb, në atë që rezultoi me një rrethim që la të vrarë një zyrtar policor dhe tre sulmues. Zyrtarë të KFOR-it negociuan tërheqjen e pjesës së mbetur të grupit në malet përreth, nëpërmjet të cilave ata u zhdukën. Autoritetet e Kosovës besojnë se potencialisht qindra luftëtarë të tjerë po fshiheshin në malet mes Banjskës dhe kufirit me Serbinë, si dhe se kanë zbuluar arsenal të madh të armëve, me kapacitet për të shkaktuar dëm dhe viktima të konsiderueshme – duke përfshirë lansues raketash antitank, lansues mortajash dhe granatash, mina antitank dhe 24 automjete (një e blinduar)”, thuhet në draftraportin e prezantuar nga Mark Lancaster.

Përgjegjësinë për këtë sulm e mori Millan Radoiçiq, deri atëherë nënkryetar i Listës Serbe. Ai po vazhdon të qëndrojë i lirë në Serbi.