Hovenier: Dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke, diçka më pak se kjo s’e përmbush vizionin tonë
Foto: Laura Hasani

Hovenier: Dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke, diçka më pak se kjo s’e përmbush vizionin tonë

Aktuale June 11, 2024 - 11:37

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka kërkuar sërish nga Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë obligimet nga procesi i dialogut.

Megjithatë Hovenieri, në fjalimin e tij në Samitin e Ballkanit Perëndimor të këtij viti, potencoi rëndësinë që dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke.

“Ne duhet të angazhohemi bashkërisht edhe kolektivisht në këto sfida politike. Veçanërisht për Kosovën, meqë këtu punoj dhe jetoj, kemi një sfidë për ripozicionimin e marrëdhënieve me Serbinë”.

“Dhe Kosova duhet që së bashku me Serbinë, të punojë që të shtyjë përpara agjendën. Po. Ka një varg zyrtarësh amerikanë përfshirë edhe mua, që kalojmë shumë kohë për nevojën e zbatimit të plotë nga Kosova dhe Serbia të obligimeve që i kanë marrë përmes procesit të lehtësuar nga BE-ja”.

“Përfundimi i këtij procesi duhet të jetë njohja e ndërsjellë mes dy vendeve, sepse diçka më pak se kjo nuk e përmbushë vizionin që e kemi për një Evropë të plotë, të lirë, të begatshme dhe në paqe”.

“Sidomos duke marrë parasysh paqëndrueshmërinë e mundshme që mund të pasojë”./klankosova