Clark: Tradhti ndaj Amerikës nëse dhëndri i Trumpit ndërton memorial në Serbi
Foto: Laura Hasani

Clark: Tradhti ndaj Amerikës nëse dhëndri i Trumpit ndërton memorial në Serbi

Aktuale June 11, 2024 - 15:50

Gjenerali amerikan, Wesley Clark, në një intervistë për CNN ka thënë se përfshirja e dhëndrit të Donald Trumpit, Jared Kushner, në një investim në Serbi, ku do të ndërtohej edhe një memorial për të kujtuar “viktimat e agresionit të NATO-s”, është tradhti ndaj SHBA-së.

Clarku ka thënë se nuk është kundër investimeve në Serbi, por shprehet kundër ndërtimit të një memoriali të tillë.

Gjenerali amerikan ka thënë se ish-ndërtesa e ushtrisë jugosllave në atë ishte boshe kur ishte goditur nga NATO-ja dhe se bombardimet s’ishin agresion, por kulmi i një përpjekje diplomatike për të bindur Millosheviqin që të mos i vriste shqiptarët e Kosovës.

“Së pari, ajo ndërtesë, me sa dimë, ishte bosh kur e goditëm. Së dyti, nuk ishte agresion i NATO-s, por ishte kulmi i përpjekjeve diplomatike shumëvjeçare për të bindur diktatorin serb Sllobodan Millosheviq që të mos vriste qytetarët e tij në pjesën e Serbisë të njohur si Kosovë”, ka thënë Clarku për CNN.

Clarku e ka përmendur krimin makabër të forcave serbe mbi familjen e Adem Jasharit dhe më pas edhe detyrimin nga ana e NATO-s për bombardim pasi përpjekjet për të bindur Millosheviqin që të ndalte vrasjet dhe krimet kishin dështuar.

Clark ka thënë se ndërtimi i një memoriali të tillë do të ishte tradhti ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, politikës amerikane, pilotëve amerikanë që kishin marrë pjesë në kampanjën e bombardimeve dhe përpjekjeve diplomatike që ishin bërë për ta bindur Millosheviqin që të ndalte vrasjet dhe masakrat.

“Është naive. Do të ishte tradhti ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, politikës tonë dhe djemve e vajzave guximtarë që ishin të përfshirë në atë kampanjë, përpjekjeve diplomatike”, ka thënë Clarku për CNN, transmeton Express.

Clarku ka thënë se Jared Kushner mund ta ndërtojë hotelin dhe një memorial për të kujtuar të gjitha viktimat, përfshirë edhe të gjitha viktimat shqiptare që u vranë nga shteti i Serbisë përgjatë periudhës së bombardimeve, por jo një kompleks të tillë përkujtimor, meqë s’ka pasur agresion të NATO-s.

Gjenerali amerikan ka thënë se ndërtimi i një memoriali të tillë është pjesë e kampanjës së dezinformimit që e bën Rusia dhe ka thënë se shpreson që Jared Kushner të mos përfshihet në ndërtimin e një të tilli.