Peja përballet me mungesë të ujit të pijshëm, shkak keqpërdorimet dhe rritja e temperaturave

Peja përballet me mungesë të ujit të pijshëm, shkak keqpërdorimet dhe rritja e temperaturave

Aktuale June 18, 2024 - 09:52

Kompania rajonale e ujësjellësit “Hidrorini”, ka njoftuar se Peja rrezikon uljen e sasisë së ujit duke e cilësuar si shkaktarë rënien e sasisë së burimeve nga temperaturat e larta si dhe keqpërdorimet e shumta.

KRU “Hidrodrini”, përmes një postimi në Facebook, kanë bërë të ditur se në shumë lagje dhe fshatra të Pejës janë paraqitur problemet e para të mungesës së ujit, sipas tyre për uljen e sasisë së ujit ka ndikuar edhe dalja e pompave të ujit nga sistemi.

“Si rezultat i rënies së sasisë në burime, ngritjes së temperaturave, ngritjes së kërkesave për ujë dhe KEQPËRDORIMEVE, në disa pjesë të qytetit të Pejës dhe të fshatrave janë paraqitur problemet e para të mungesës së ujit. Për këto shkaqe, rënie e theksuar e sasisë së furnizimit është paraqitur në rrugën ‘Qerim Muriqi’ dhe rrugët dytësore përgjatë saj, meqë në ate pjesë ka ndodhur edhe dalje e pompave private nga sistemi”, ka shkruar “Hidrodrini”.

Sipas KRU “Hidrodrini”, ekipet e terenit janë duke e bërë evidentimin dhe sanimin e këtyre problemeve, por ata bëjnë thirrje te qytetarët për mos keqpërdorim të ujit të pijes përndryshe do të ndiqen edhe penalisht.

“Ekipet e terrenit, përfshirë Njësitë Teknike dhe Inspektorët Rajonal, po punojnë dhe janë në terren për evitimin e problematikës në furnizim dhe ndjekjen e keqpërdoruesve të ujit. Furnizimi me ujë mbetet problem konkret për katet e sipërme të objekteve banesore. Qytetarët e zonës së mbulueshmërisë APELOHEN që ujin ta përdorin racionalisht, ndërsa bëjmë me dije se keqpërdoruesit do të ndiqen penalisht”, kanë përfunduar Hidrodrini.

Qyteti i Pejës përkundër burimeve të shumta me ujë shpesh herë përballet me mungesë të ujit të pijshëm.