Izraeli dhe Kosova zyrtarizojnë heqjen e vizave për kosovarët, sot nënshkruhet marrëveshja
Foto: Laura Hasani

Izraeli dhe Kosova zyrtarizojnë heqjen e vizave për kosovarët, sot nënshkruhet marrëveshja

Aktuale June 18, 2024 - 10:56

Izraeli dhe Kosova do të shënojnë edhe një hap tjetër të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve, duke nënshkruar marrëveshjen për hyrjen në fuqi të vendimit për heqjen e vizave për kosovarët.

Kështu është bërë e ditur në një njoftim nga Ambasada e Izraelit në Prishtinë, ku është theksuar se ceremonia e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje do të bëhet sot, në orën 18:00.

“Kemi kënaqësinë t’ju ftojmë në pritjen e nesërme të organizuar nga Shkëlqesia e Saj znj. Tamar Ziv, ambasadore e Shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës, me ç’rast do ta shënojmë Ditën e Pavarësisë së Izraelit dhe Marrëveshjen për Heqjen e Vizave për shtetasit kosovarë”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, më 29 janar të këtij viti presidentja Vjosa Osmani kishte njoftuar se Izraeli është pajtuar për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Osmani kishte bërë të ditur se ministritë përkatëse kishin nisur procedurat për formalizimin e marrëveshjes dhe se qytetarët e Kosovës do të kenë mundësinë të udhëtojnë lirshëm në një nga destinacionet më të njohura turistike në rajon dhe më gjerë.

Ky vendim i Izraelit vjen pas njohjes së pavarësisë së Kosovës, më 4 shtator 2020.