Maqedonci: FSK-ja është e aftë për mbrojtje të territorit
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se Forca e Sigurisë së Kosovës është e aftë edhe për detyra luftarake të mbrojtjes së territorit të Republikës së Kosovës.
“Kur e sqarova çështjen e zhvillimit të kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës e theksova edhe fazën në të cilën Forca e Sigurisë së Kosovës gjendet, por gjithmonë çdo pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës ka përfunduar kurse bazike ushtarake dhe kurse të tjera që i mundësojnë të jetë i gatshëm për operacione luftimi. Ne me gjitha kapacitetet që i kemi aktualisht jemi të aftë për të operuar dhe për të zhvilluar detyra të ndryshme, mes tyre edhe detyra luftarake të mbrojtjes së territorit”, tha Maqedonci në ë Klan Kosova.
Ministri shtoi se trajnimet dhe pajisjet e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë sipas standardeve të NATO-s.
“Motivi është shumë i lartë, përgatitja është shumë e lartë, pajisjet tona, sistemet armatimit janë sisteme që prokurohen kryesisht nga vendet e nga NATO, dhe sipas sistemit shtet me shtet duke komunikuar me ministritë përkatëse të vendeve të NATO-s, kryesisht nga SHBA-të, por edhe vende të tjera”, tha Maqedonci.