Konjufca pret në takim delegacionin e Asamblesë Parlamentare të KE-së, flasin për zgjedhjet

Konjufca pret në takim delegacionin e Asamblesë Parlamentare të KE-së, flasin për zgjedhjet

Aktuale January 17, 2025 - 13:25

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i kryesuar nga Petra Bayr.

Në një njoftim nga Kuvendi thuhet se, pasi i falënderoi për vizitën e tyre në Kosovë, Konjufca i njoftoi mysafirët me ecurinë aktuale politike në vendin tonë, në këtë periudhë të fushatës zgjedhore që përfundon me zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, duke vlerësuar se ky proces është duke u zhvilluar konform përcaktimit të tij ligjor, në frymë demokratike, si dhe duke i ndjekur e nxitur vlerat tona të përbashkëta evropiane.

„Në takim u diskutua rreth ligjit të zgjedhjeve në Republikën e Kosovës që e definon këtë proces, si dhe në lidhje me pritshmëritë që këto zgjedhje të vazhdojnë traditën e mirë demokratike, si një vend që aspirojmë zhvillim sa më të madh në këtë drejtim, me aspirata të anëtarësimit në strukturat ndërkombëtare dhe evropiane“

“Po ashtu kryekuvendari Konjufca ritheksoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, ashtu siç ka qenë dhe vijon të mbetet e angazhuar në ruajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të demokracisë në vendin tonë, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe fuqizimin e sundimit të ligjit”.

Konjufca e falënderoi delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për diskutimin e frytshëm dhe u uroi atyre qëndrim sa më të mirë e sa më produktiv në vendin tonë. /Zëri