Selimi: Sa kam qenë komandant zone, Shtabi i Përgjithshëm ka qenë pothuajse inekzistent
Sylejman Selimi tha sot në Hagë se sa ka qenë komandant zone, Shtabi i Përgjithshëm ka qenë pothuajse inekzistent. Ai tha se Shtabi ka qenë i paorganizuar me disa anëtarë që nuk është ditur as ku janë.
Dëshmitari më herët kishte thënë se si komandant zone kishte shqetësime dhe pakënaqësi si dhe vetë ai kishte dhënë mëndmë dhe shqetësime të ndryshme ngjashëm si komandantet e tjerë të zonave sa i takon funksionimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Lidhur me këtë, dëshmitari u pyet nga gjyqtari Fergal Gaynor se a ia ka shprehur këto pakënaqësi Shtabit të Përgjithshëm.
“Pakënaqësi kam pas shpeshherë me Shtabin e Përgjithshëm. Tash mundem me e sqaru edhe më gjerësisht arsyet pse; në kohë lufte dhe kohë… tash na po flasim për një termë të madh Shtab i Përgjithshëm se në dukej në kohë paqe duket se është një objekt i madh është me njerëz shumë, është me një infrastrukturë që është më shumë njerëz kurse në këtë kohë kur po flasim po flasim për një Shtab të Përgjithshëm thuja inekziten, i paorganizum”, tha si rrjedhojë dëshmitari.
Ai tha se nuk është ofruar mbështetje ndaj komandantëve të zonave dhe se nuk ka pasur asnjë mundësi mbështetje qoftë operacionale ose logjistike.
“Sa herë ne e kemi pas një kërkesë për mbështetje, ku me u drejtu?! Nuk e ke pas asnjë mundësi mbështetjes e as logjistikës apo operacioneve të ndryshme. Me mungesë të armatimit me mungesë të të gjithave. Me një shtab të përgjithshëm me disa anëtarë që nuk e ke ditë as ku janë. Me një objekt ku një shpi private me dy dhoma a tri dhoma. Këtu e gjitha ka qenë ankesa me njerëz të aspekteve joprofesionale të aspektit ushtarak kanë qenë të gjitha këto që unë i kam shpreh disa herë edhe ndaj individëve të caktuar”, tha dëshmitari.
Si kritikë konkrete, dëshmitari përmendi atë ndaj zëvendëskomandantit për operacione që ishte Sokol Bashota e po ashtu edhe ndaj Jakup Krasniqit.
“Kam pas kritika ndaj zëvendëskomandantit për operacione ose ndoshta edhe për z.Krasniqi. krejt për arsye teknike, për arsye të cilat gjatë kohës së luftës kanë qenë shumë evidentes e nuk kam pas mbështetje ose plan operacional”, tha Sylejman Selimi.
Sa i përket temës së Likocit dëshmitari kishte thënë se nuk ka pasur të arrestuar por që mund të jenë marrë në pyetje persona.
“Në qoftë se janë ndalu në pika kontrolli në hyrje ose dalje të Drenicës, janë ndalu dhe janë marrë në pyetje se ku kanë me shku ose kur nuk e kanë njoftë dikë, për këtë arsye”, tha ai.
Kur u pyet se kush e ka kryer këtë procedurë, dëshmitari u përgjigj me “Kush ka qenë në atë pikë, ai e ka marrë në pyetje”.
Ndërsa sa i përket pozicionit të marrëseve në pyetje, dëshmitari tha se s’ka pasur specifike por shumica kanë qenë ushtarë.
“Pa marrë parasysh se çfarë detyrash ka pas, kur dikë se ka njoftë e ka marrë në pyetje dhe e ka legjitimu me një fjalë. Besoj që ushtarë, por me qellu edhe të policisë njëjtë, por kryesish ushtarë kush ka qenë në atë pikë”, tha ai.
Dëshmitari tha se shifrat ia kanë caktuar vetë vetës në shumicën e rasteve.
“Unë e kam marrë 101 duke e pa si numër i përshtatshëm për mua. Ia kemi caktu vetvetes dhe në bazë të atyre shifrave e kanë caktu edhe tjerët për vetë. Unë ia kam caktu 101 vetit”, tha Sylejaman Selimi.
Ndërsa sa i takon pozitës së Kadri Veselit në Zbulim-Kundërzbulim (ZKZ) përpara se të formohet SHIK-u ai tha se e mësoi kur u bë komandant i përgjithshëm.
“Diku kur unë e kam marrë detyrën si komandant i Shtabit të Përgjithshëm”, tha Sylejman Selimi.
Ndërsa me emërtimin si shef i G2-shit, dëshmitari tha se si emërtim e kishte dëgjuar diku kah fundi i 98-ës apo fillimi i 99-ës.
“Nuk e di saktësisht por diku nga fundi i 98-ës apo fillimi i 99-ës”, tha ai.
Ai serish, përsëriti që tamam si shef i ZKZ-së e kuptoi që Veseli ishte në këtë pozitë kur dëshmitari u bë komandant i përgjithshëm i UÇK-së.
Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Mettraux, dëshmitari tha se i raportonte Agim Çekut si udhëheqës i Gardës Kombëtare pozitë kjo e cila iu ishte dhënë nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës.
Dëshmitarit iu prezantua dekret i Hashim Thaçit i cili e kishte emëruar Syeljman Selimin në këtë pozitë. Megjithatë, dëshmitari tha se nuk e kishte parë më herët por vetëm gjatë seancave përgatitore me ZPS-në. /BetimipërDrejtësi