Haradinaj shpreh shqetësimin për zjarrin në Bjeshkët e Deçanit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është shprehur i shqetësuar për shpërthimin e zjarreve në Bjeshkët e Deçanit.
Ai ka thënë se është në kontakt të vazhdueshëm me kryetarin e Deçanit, Bashkim Ramosaj për menaxhimin e kësaj situate, raporton Zeri.info.
“Shpërthimi i zjarreve në Bjeshkët e Deçanit, saktësisht në zonën e Kullës së Qelisë, është shqetësues për shkak të përmasave të tij dhe rrezikut që paraqet. Jam në kontakt të vazhdueshëm me kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, dhe falë reagimit të shpejtë të komunës, ekipet e zjarrfikësve dhe shumë qytetarë vullnetarë janë mobilizuar për ta përballuar situatën.
Falënderoj secilin që po kontribuon në këtë betejë me zjarret. Apeloj për kujdes maksimal nga të gjithë qytetarët, sidomos ata që ndodhen pranë zonave të prekura, duke shmangur çdo veprim që mund të përkeqësojë situatën”, shkroi ai në Facebook. /Zëri