Sorenseni pas takimit me Kurtin: Fillim i mirë
Foto: Laura Hasani

Sorenseni pas takimit me Kurtin: Fillim i mirë

Aktuale March 17, 2025 - 13:07
Sorensen: Qëllimi është shtyrja përpara e dialogut, kompromiset janë në dorën e palëve

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë - Serbi, Peter Sorensen, ka thënë se gjatë takimit me kryeministrin Albin Kurti është biseduar rreth mënyrës sesi mund të ecet përpara me procesin e dialogut.

 

Ai këtë zhvillim e ka quajtur “fillim të mirë”.

 

Në një adresim të shkurtër për media pas takimit me Kurtin, Sorenseni ka deklaruar se procesi i dialogut ka sjellë me vete shumë zhvillime në të cilat duhet punuar.

 

“Ishte një takim prezantues dhe ne biseduam sesi procesi mund të vazhdojë dhe të lëvizim përpara, dhe si i tillë ishte një fillim i mirë. Qëllimi ynë është që procesi të vazhdoj dhe të lëvizim përpara”, tha Sorenseni.

Image

 

Sorenseni theksoi se pas Kosovës do të shkojë edhe në Beograd. I pyetur nga gazetarët se a mund të ketë kompromise, ai tha se kjo caktohet nga palët.

 

“Dialogu është që të pajtohemi dhe kompromiset do të caktohen nga palët . Ky është dialogu këtë e kemi bërë që nga viti 2011”, tha Sorenseni.

Image

 

Emisari i BE-së u pyet edhe për mbylljen e institucioneve serbe në Kosovë, respektivisht qendrave për punë sociale dhe postës.

Ai tha se duhet punuar që njerëzve t'u sigurohet shërbim i mirë.

 

“Duhet të punojmë të sigurohemi që njerëzit të shërbehen në mënyrën më të mirë të mundshme dhe këtë do të përpiqemi ta bëjmë”, u shpreh Sorenseni.