Osmani: E rëndësishme t’i kemi konstituimin e Kuvendit dhe qeverinë e re brenda afateve, globi nuk na pret
Foto: Laura Hasani

Osmani: E rëndësishme t’i kemi konstituimin e Kuvendit dhe qeverinë e re brenda afateve, globi nuk na pret

Aktuale April 02, 2025 - 10:38

Presidentja Vjosa Osmani, në një prononcim për media, tha se përgjegjësia e saj kushtetuese është të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit, duke theksuar rëndësinë e respektimit të afateve kushtetuese për formimin e institucioneve te reja.

Ajo tha se konstituimi duhet të përfundojë brenda afateve të përcaktuara.

Presidentja shtoi se ndonëse në të kaluarën ka pasur presidentë që janë përfshirë në çështjen e koalicioneve, ajo i konsideron ato si çështje partiake, që nuk janë pjesë e përgjegjësive të saj kushtetuese.

“Përgjegjësitë e mia kushtetuese janë që të thërras këtë seancë konstituive. Besoj që nga dita e certifikimit të rezultateve deri në momenti kur mbahet seanca konstituive veçse ka kohë të mjaftueshme për partitë politike që t’i kryejnë diskutimet e nevojshme. Po ashtu për organizuesit e seancës konstituive të Kuvendit, që duhet të bëjnë një sërë regjistrimesh dhe përgatitjesh teknike, ka kohë të mjaftueshme. U uroj sukses partive politike, i uroj sukses Kuvendit të Kosovës që ai proces të shkojë sa ma mirë që është e mundur dhe që konstituimi të kryhet po me atë datë. Siç e dini, si presidente s’kam të drejtë vote dhe pavarësisht se në të kaluarën mund të ketë pasur president që janë përzier në çështje të koalicioneve, unë i konsideroj ato çështje partiake, që sipas Kushtetutës nuk janë detyrë imja. Jam besimplote që institucionet përkatëse, deputetët të bëjnë çmos që kjo të jetë seancë të jetë e suksesshme”, tha presidentja Osmani.

“Është me rëndësi për qytetarët e Kosovës, ju po i shihni zhvillimet gjeopolitike nuk është që globi na pret neve, është me rëndësi që brenda afateve kushtetuese të kemi konstituimin e Kuvendit që është hap i parë dhe pastaj qeverinë e Kosovës, një Kuvend funksional që kryen edhe punën e mbikëqyrjes në raport me Qeverinë, sepse Kosova ka shumë punë për të bërë”, shtoi presidentja Osmani.

Këtë deklaratë presidentja Osmani e bëri pas takimit me sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy. /EO