
Vuçiqi hedh poshtë deklarimet e Osmanit se Serbia kërcënoi me përshkallëzim konflikti në Kosovë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka hedhur poshtë deklaratat e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani që Beogradi zyrtar ka kërcënuar me përshkallëzim konflikti me Prishtinën.
“Nuk e kemi angazhuar asnjë ushtar, nuk e kemi nisur asnjë makineri, as nuk na shkon mendja, ne duam të punojmë, të ndërtojmë”, ka thënë Vuçiq më 12 korrik.
Dy ditë më parë, më 10 korrik, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se ka “informacion të besueshëm” se presidenti amerikan, Donald Trump e ka “parandaluar së fundmi” një përshkallëzim të mundshëm të situatës së sigurisë të drejtuar nga Serbia në Kosovë.
“Sa i përket Vjosa Osmanit, që kinse jemi duke u përgatitur për konflikte, këtë mëngjes e kam pasur një takim me përfaqësuesit më të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit që janë duke e vizituar Serbinë… a mendoni që mund të bëhet diçka pa e ditur amerikanët dhe kinezët se çfarë po ndodh?”, ka pyetur Vuçiq.
Ai ka përmendur më herët gjatë ditës se në takim me përfaqësuesin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan kanë diskutuar për çështje globale, marrëdhënie bilaterale dhe sigurinë e Ballkanin Perëndimor.
“E theksova që Serbia mbetet e vendosur për ruajtje të paqes dhe stabilitetit, dhe që dialogun e shohim mënyrën e vetme për zgjidhje të çështjeve të hapura dhe për respektim të ligjit ndërkombëtar”, ka thënë Vuçiq përmes një postimi në Facebook.
Në postimet e tij në rrjetet sociale, Vuçiq nuk ka ofruar hollësi nëse ka diskutuar me zyrtarin amerikan për deklaratat e fundit të presidentes Osmani apo ato të presidentit Trump.
Qeveria në detyrë e Kosovës dhe as Ministria në detyrë për Punë të Brendshme nuk u janë përgjigjur kërkesave të Radios Evropa e Lirë për të treguar më në hollësi për rrezikun e sigurisë nga Serbia dhe se për çfarë përshkallëzimi të situatës bëhet fjalë.
Beogradi zyrtar ka thënë se deklaratat e Osmanit janë “të rreme”.
Pretendimet e fundit të presidentit amerikan, Donald Trump, se ka parandaluar një konflikt mes Kosovës dhe Serbisë, kanë tërhequr vëmendje, por edhe kanë krijuar konfuzion, pasi në opinionin publik mungojnë detaje - të tilla si periudha kohore në të cilën ka mundur të ndodhte një përshkallëzim i tillë.