
Sot përpjekja e 46-të për konstituimin e Kuvendit
Sot për herën e 46-të në Kuvendin e Kosovës do të mbahet seanca konstituive.
Nga ora 11:00 deputetët e zgjedhur do të mblidhen sërish për të konstituuar përbërjen parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Aktualisht konstituimi ka ngecur te pika e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.
LVV-ja si parti e parë ka propozuar Albulena Haxhiun, e cila s’po votohet nga ish-opozita pasi e cilësojnë si “figurë përçarëse”.
As përpjekja e 45-të, e mbajtur dy ditë më parë, nuk solli ndonjë zhvillim të ri. Vetëm 49 deputetë votuan pro formimit të Komisionit për Votim të Fshehtë, numër i pamjaftueshëm për të hapur rrugën e zgjedhjes së kryetarit dhe konstituimit të plotë të Kuvendit. Ky ngërç politik ka ndikuar drejtpërdrejt në paralizimin e punës së institucionit legjislativ, ndërsa qytetarët dhe shoqëria civile kanë shprehur shqetësim për mungesën e vullnetit politik për të gjetur zgjidhje.