
Peci: Madhështia e demokracisë fillon nga vullneti i lirë i votës së fshehtë
Deputeti i partisë Guxo që është në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, e njëherësh ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci ka thënë se vullneti i deputetëve shprehet më mirë e më lirshëm kur është vota e fshehtë, se sa me votim të hapur.
Ai pas dështimit të përpjekjes së 46-të për konstituim të Kuvendit, tha se afati 30 ditor i përcaktuar me aktgjykim nga Gjykata Kushtetuese është i paqartë dhe nuk është saktë e definuar çfarë ndodhë pas 26 korrikut.
“Çështja është se është një afat i precizuar nga Gjykata Kushtetuese, e vazhdon të jetë e paqartë e nuk është saktë e definuar se çka nënkuptohet me 30 ditëshin prej përpjekjes së parë për konstituimin e Kuvendit, për faktin që dihet se përpjekja e parë ka qenë me 15 prill e rrjedhimisht ai afat prej 30 ditësh është ezauaruar qysh me 15 maj. Një precedan i tillë ndoshta është mundësi e mirë për legjislaturat e ardhshme kurdo që do t’i kemi në Kuvend, por këtë situatë që e kemi aktualisht, nuk e di cili do të jetë interpretimi i Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.
Peci ,tha se deputetët e partive politike që nuk po marrin pjesë në votim, në vazhdimësi e çdo seancë, sipas tij, po bëjnë shkelje kushtetuese.
Ministri i kabinetit qeveritar në detyrë, foli edhe për deklarimet e presidentit Trump, tha se SHBA-ja në vazhdimësi ka qenë aleati kryesor i Kosovës.
“Çdo njeri normal kur kihet parasysh çfarë fqinji verior kemi, natyrshëm që në përputhje me përgjegjësinë institucionale ka mund të jetë edhe i shqetësuar. Ajo çka na duhet është se ne si institucione duhet me qenë vigjilent për me qenë në mbrojtje të integritetit territorial e të Republikës. SHBA-të në vazhdimësi kanë qenë aleati kryesor i Kosovës e në funksion të saj çdo angazhim i SHBA-ve shkon në funksion të mbrojtjes së Kosovës, sepse ata janë hisedarë të mëdhenj të lirisë e pavarësisë së Kosovës”, tha Peci.