Grenelli e akuzon Osmanin për manipulim të fjalëve të Trumpit
Foto: Laura Hasani

Grenelli e akuzon Osmanin për manipulim të fjalëve të Trumpit

Aktuale July 13, 2025 - 16:43

I dërguari i posaçëm i ish-presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë–Serbi, Richard Grenell, ka akuzuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, se i ka shtrembëruar deklaratat e Trumpit lidhur me ndërhyrjen e tij në situatën e sigurisë në Ballkan.

Përmes një postimi në platformën X, Grenell ka rikujtuar nënshkrimin e Marrëveshjes së Washingtonit në vitin 2020 në Zyrën Ovale, duke thënë se presidentja Osmani nuk ka qenë pjesë e këtij procesi.

Ai ka reaguar pas deklaratës së Osmanit se ish-presidenti Trump e kishte ndihmuar Kosovën të shmangte një përshkallëzim të fundit të situatës me Serbinë.

“Turp për Vjosa Osmanin që manipuloi fjalët e presidentit Donald Trump. Trump u nominua për Çmimin Nobel për Paqen për rolin e tij në normalizimin ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë në vitet 2019 dhe 2020 – përmes Marrëveshjes së Washingtonit të nënshkruar në Zyrën Ovale. Osmani nuk ishte pjesë e kësaj marrëveshjeje. Të pretendosh sikur kishte ndodhur diçka të re është absurde”, ka shkruar Grenell.

Nga ana tjetër, presidentja Osmani, në një deklaratë të saj, ka përmendur se Trump ka ndihmuar në parandalimin e një përshkallëzimi të fundit të situatës së sigurisë në Kosovë nga Serbia – duke iu referuar zhvillimeve të fundit.