Partitë me akuza për shkelje Kushtetute edhe në dështimin e 46-të
Foto: Laura Hasani

Partitë me akuza për shkelje Kushtetute edhe në dështimin e 46-të

Aktuale July 13, 2025 - 22:18

Ndonëse është ditë e diele, ditë pushimi, në këtë sallë sërish erdhën të zgjedhurit e popullit.

Të parët që kanë mbërritur janë deputetët e partive të ish-opozitës.

E kur në sallë hynë kryesuesi Avni Dehari, pak minuta më pas mbërrijnë edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Dehari vazhdoi sërish me skenarin e njëjtë.

Dehari, por edhe të pranishmit, u befasuan kur e dëgjuan deputetin e PDK-së, Përparim Gruda, teksa tha se e ka një propozim.

Por, propozimi, nuk kishte të bënte me komisionin për votim të fshehtë.

Respektim të Kushtetutës, nga foltorja e Kuvendit kërkuan edhe LDK dhe AAK.

Pasi seanca dështoi, ish-opozitarët i vazhduan fjalimet nga salla e Kuvendit.

“Edhe kësaj radhe në emër të PDK-së, shprehim shqetësimin dhe preokupimin e madh për gjendjen e krijuar në vend. Qytetarët me shumë të drejt janë të indinjuar dhe presin themelimin e institucioneve legjitime. Edhe për kundër aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, Vetëvendosje kundërligjshëm jashtë mandati, me përfitime nga mbajtja arbitrare e pushtetit po kamuflohet në rolin e të drejtit”, deklaroi Fadil Demaku nga PDK-ja.

Në foltore foli deputeti i LDK-së, Armend Zemaj i cili ngjashëm fajëson Vetëvendosjen.

“Lëvizja Vetëvendosje dhe eksponentët e saj kur hyjnë në Kuvend, flasin për bashkëpunimin me LDK-në, përpiqen ta përdorin emrin e LDK-së, për legjitimitet.  Këtu brenda kur të hyjnë i duan të gjithë pa përjashtim, edhe votat e fshehta të Listës Serbe. Ndërsa këtu dhe jashtë refuzojnë ta pranojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese i cili thotë se konstituimi i Kuvendit është proces demokratik dhe se duhet të bëhet i hapur dhe me transparencë të plot”, deklaroi ai.

E nga AAK-ja, Time Kadrijaj i numëroi votat të cilat, kësaj radhe ishin më të pakta në salla.

“Ne po e shohim çfarë angazhimi ka Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka as angazhim ditor, as javor por po duket se nuk do të ketë as angazhim mujor sepse në vend që t’i rritin numrat në këtë sallë për këtë komisionin e famshëm të LVV-së, ne sot i kemi pas vetëm 43 vota që kanë qenë për, ndërsa ju e dini që për këtë komision të famshëm nevojiten 61 vota”.

Mirëpo, ky qëndrim në sallë pas përfundimit të seancës, sipas partisë së parë, është shkelje ligjore dhe kushtetuese.

“E kemi qëndrimin e deputetëve të opozitës të cilës përkundër çastësisë që kishte aktgjykimi i Gjykatë Kushtetuese, refuzojnë të marrin pjesë në votim duke pamundësuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Në anën tjetër, ata po vazhdojnë me shkeljen e rregullores së Kuvendit, duke e vazhduar debatin pasi që po mbyllet seanca, ne sigurisht që jemi për debat dhe sigurisht që e kuptojmë se duhet të diskutohet por që të realizohet debati që të vazhdojë puna e kuvendit fillimisht duhet të konstituohet”.

Tentativa e radhës për konstituim të Kuvendit mbahet të martën më 15 korrik në ora 11:00./teve1