
Oravi në Gjakovë: BE-ja, partnere kyçe në zhvillimin komunal
Për Zyrën e Bashkimit Evropian është shumë e rëndësishme dalja në terren, në mënyrë që të takojmë njerëz të ndryshëm, në mënyrë që të shohim mundësitë e një bashkëpunimi sa më të mirë dhe që procesi i integrimit të jetë sa më i kapshëm për të gjitha palët. Kështu është shprehur ambasador i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, pas takimit me kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.
“Jam shumë i lumtur që nga kryetari Gjini po ashtu dëgjova për projekte shumë funksionale e BE-së në Gjakovë në theks të veçantë për ngrohtoren e Qytetit si një projekt i financuar nga BE dhe që është shumë jetik për qytetarët e kësaj komune. Po ashtu ne po bashkëpunojmë ngushtë me të gjitha komunat dhe popullin e Kosovës në mënyrë që procesi i integrimit të jetë sa më i shpejtë”, tha ambasadori Orav.
Ndërsa kryetari i Gjakovës Ardian Gjini tha se Bashkimi evropian është bindshëm kontribuuesi më i madh jo vetëm në Gjakovë, por në gjithë Kosovën, përmes projekteve shumë të rëndësishme, disa prej të cilave kanë përfunduar ndërsa pjesa tjetër janë duke u kryer.
“Në të njëjtën kohë nuk është kurrë e tepërt me e thanë se drejtimi i Kosovës është unioni evropian edhe ne duhet me e ba maksimumin tonë si komunë, por edhe si shtet, si vend që me i krijua rrethanat tona me qenë sa më afër anëtarësimit në të ardhmen në bashkimin evropian. Unë e falënderova ambasadorin për punën e tij , zyrës së tij për gjithë kontributin që e kanë dhënë për Gjakovën edhe besoj që kështu kemi me vazhdua”, tha Gjini.
I shoqëruar nga kryetari Gjini, ambasador i BE-së në Kosovë Aivo Orav gjatë vizitës së sotme në Gjakovë ka zhvilluar një takim me afaristët e kësaj komune e po ashtu ka vizituar qendrën inovative dhe Muzeun e këtij qyteti. /rtk
